Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë vizitës së tij në Japoni, ka thënë se vendi i tij nuk ndodhet në një rajon të lehtë dhe se pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, vazhdon të ndërmarrë hapa që do të kontribuojnë në forcimin ekonomik të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu foli në një seminar në Tokio lidhur me politikën e jashtme të Turqisë dhe zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme dhe në botë.
Ai gjithashtu iu referua bashkëpunimit të Turqisë dhe Japonisë, duke thënë se të dyja palët treguan një dëshirë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.
Çavuşoğlu tha se bota po kalon përmes ndryshimeve të rëndësishme.
Ai gjithashtu potencoi edhe zhvillimet aktuale në botë, luftërat ekonomike, sanksionet, migrimet, varfërinë, radikalizimin dhe luftën kundër terrorizmit.
Shefi i diplomacisë turke theksoi se në shumë çështje, shihet si cili do të jetë qëndrimi i Azisë, apo fuqive të rëndësishme në Azi, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën.
“Bashkëpunimi global duhet të ekzistojë. Të gjitha këto zhvillime çuan në rishikim të sistemit global. Sepse sot, organizatat rajonale dhe globale, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB) kanë qenë të pasuksesshme në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballemi”, shpjegoi Çavuşoğlu.
Sipas tij, Turqia vazhdon të ofrojë një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve në rajon dhe madje edhe më gjerë.
“Procesi në Siri nuk po përparon ashtu siç duhet. Çështjet që çuan në krizë vazhdojnë të përfshijnë një sërë problemesh për rajonin dhe më gjerë”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se Turqia vazhdon të bashkëpunojë me aktorë të rëndësishëm në Siri.
Më tej ai shtoi se dëshmi e kësaj është marrëveshja në Soçi si dhe Samiti i Stambollit ku morën pjesë udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Turqisë.
“Ne bëjmë përpjekje të mëdha për t’i kthyer refugjatët në mënyrë vullnetare në territoret siriane ku është vendosur siguria”, shpjegoi Çavuşoğlu.
Ai kujtoi se Turqia siguroi strehim për 3,5 milionë sirianë si dhe emigrantë nga Iraku dhe vende të tjera. Sipas tij, Turqia shpenzoi rreth 33 miliardë dollarë për nevojat e refugjatëve sirianë.
Çavuşoğlu gjithashtu iu referua sanksioneve të SHBA-ve kundër Iranit, duke theksuar se kjo është një çështje shqetësuese për të gjithë botën, përfshirë dhe Japoninë.
Ai shtoi se Turqia nuk ndodhet në një rajon të lehtë.
“Përkundër të gjitha vështirësive, ne kemi ndërmarrë dhe vazhdojmë të ndërmarrim masa për forcimin dhe rritjen e stabilitetit ekonomik të vendit tonë”, tha Çavuşoğlu.
Ministri turk vuri në dukje një numër problemesh në rajonet e tjera që kanë nevojë për zgjidhje paqësore, në sjellen e të cilave është angazhuar edhe Turqia.
Çavuşoğlu tha se dëshirojnë të forcojnë bashkëpunimin me Japoninë në gjetjen e zgjidhjes dhe ndihmave humanitare.
“Jemi të parët për sa i përket ndihmave humanitare. Ne jemi krenar për këtë. Nuk jemi vendi më i pasur, por jemi krenar që jemi vendi më bujar”, tha ministri Çavuşoğlu.