Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas samitit katërpalësh për Sirinë në Stamboll, ka deklaruar se synojnë garantimin dhe mbizotërimin e plotë të armëpushimit në terren dhe ndaljen sa më parë të gjakderdhjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas samitit, në të cilin morën pjesë edhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Rusisë, Erdoğan në konferencën e përbashkët për media, theksoi se sot realizuam diskutime frytdhënëse dhe të sinqerta.
“Procesi i paqes në Astana për konfliktin sirian paraqet një shembull për komunitetin ndërkombëtare”, tha ai.
Ai bëri të ditur se kanë rënë dakord për nevojën e vazhdimit të ndihmave humanitare për popullin e Sirisë.
“Shumë shtete e kuptuan seriozitetin e gjendjes në Siri pasi efektet arritën pranë kufijve të tyre. Duhet t’i jepet fund kësaj indiference”, u shpreh Erdoğan.
Presidenti turk më tej tha ashtu sikurse në perëndim të Eufratit, do të vazhdojnë të eliminojmë në thelb kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare edhe në lindje të tij.
“Kemi rënë dakord për rritjen e bashkëpunimit si midis katër shteteve, ashtu edhe në nivel të komunitetit ndërkombëtar”, theksoi presidenti Erdoğan.
Putin: Zgjidhja në Siri, e mundur vetëm përmes diplomacisë
Ndërkaq, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se “zgjidhja në Siri mund të jetë e mundur vetëm përmes rrugës diplomatike”.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë përpjekje të përbashkëta për Sirinë.
“Rusia mbështetet te Turqia për tërheqjen e forcave të opozitës nga zona tampon në Idlib të Sirisë”, shtoi Putin.
Sipas tij, komiteti kushtetues sirian do të jetë funksional nga fundi i vitit.
Macron: Populli i Sirisë duhet të ketë të drejtë fjale për të ardhmen e tij
Presidenti francez, Emmanuel Macron, nga ana e tij tha se përdorimi i armëve kimike si në këtë rajon ashtu edhe në vendet tjera të botës, nga kushdo qoftë, nuk mund të pranohen.
Ai theksoi se ëshumë me rëndësi ristrukturimi i një Sirie gjithëpërfshirëse dhe se populli i Sirisë duhet të ketë të drejtë fjale për të ardhmen e tij.
“Armëpushimi i përhershëm dhe i qëndrueshëm në Idlib ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Merkel: Samiti katërpalësh në Stamboll, tejet frytdhënës
Ndërsa sipas kancelares gjermane, Angela Merkel, samiti katërpalësh në Stamboll është tejet frytdhënës.
“Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për një armëpushim të qëndrueshëm (në Idlib)”, tha Merkel, duke shtuar se për kthimin e njerëzve nevojitet një zgjidhje politike në Siri.
“Pavarësisht qasjeve tona të ndryshme, ne ishim në gjendje të biem dakord për një komunikim të përbashkët mbi Sirinë”, shtoi Merkel.