Sulm i armatosur në një sinagogë në SHBA, raportohet për viktima

Një sulm i armatosur ka ndodhur në një sinagogë në qytetin Pittsburgh të SHBA-ve, raportohet për numër të madh viktimash

 Një sulm i armatosur ka ndodhur në një sinagogë në qytetin Pittsburgh në Pensilvani të SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).

Një numër i madh i personave janë qëlluar gjatë sulmit, ndërsa raportohet të ketë edhe të vdekur.

Mediumet amerikane raportuan për të paktën katër të vdekur, duke shtuar gjithashtu se sulmuesi i armatosur ende gjendet brenda sinagogës.

Policia ka vendosur kordon të sigurisë në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se është duke i ndjekur zhvillimet, duke apeluar për kujdes në rajonin e ngjarjes.

“Jam duke e ndjekur ngjarjen në Pittsburgh të Pensilvanisë. Policët janë në vendin e ngjarjes. Njerëzit në zonën Squirrel Hill duhet të mbeten të strehuar. Duket të ketë shumë viktima. Kujdes nga sulmuesi aktiv. Perëndia ju bekoftë të gjithëve!”, ka shkruar Trump.