Ka dhënë dorëheqjen ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetin social Twitter, ku ka njoftuar se ka propozuar në postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Sandër Lleshin.
Ndërsa Xhafaj, në mesazhin e tij pas dorëheqjes nga detyra theksoi se dorëheqjen i ka paraqitur kryeministrit Rama me vullnetin e tij dhe duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme. Ai tha se shërbeu me pasion, modesti dhe devotshmëri në shërbim të shtetit, ligjit dhe qytetarëve.
“Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra”, shprehet Xhafaj në mesazhin e tij të dorëheqjes.
Postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Xhafaj e mbante që prej 13 shtatorit të vitit 2017.
Ndërkohë, i propozuari për ministër të brendshëm, Sandër Lleshi, ka mbajtur deri tani postin e këshilltarit për çështjet e sigurisë të kryeministrit të Shqipërisë.