Tashmë vjen zyrtarizimi, Steven Zhang është presidenti i ri i Interit

Kinezi 26 vjeçar Steven Zhang zgjidhet president i ri i klubit futbollistik italian, Inter

Tashmë nuk ka më dyshime pasi gjithçka ka marrë trajtën zyrtare. Ashtu siç edhe parashikohej Steven Zhang është presidenti i ri i Interit duke pasuar në këtë detyrë indonezian Erick Thohir, post të cilin ky i fundit e mbante që nga nëntori i vitit 2013-të, vetëm pak muaj pasi u bë pronar i mazhorancës së aksioneve të klubit zikaltër. Steven Zhang bëhet kështu presidenti më i ri në historinë e Interit pasi është vetëm 26 vjeç.

Që nga momenti që kinezët e Suning Group blenë nga Thohir 69% të aksioneve të Interit, djali i pronarit të klubit Zhang Jindong ka qëndruar gjithmonë në Milano duke ndjekur me interes të gjithë aktualitetin zikaltër dhe duke mbështetur skuadrën me praninë e tij në stadiume përkrah zëvendës-presidentit Javier Zanetti.

Në asamblenë e klubit përveç se është vendosur largimi i Erick Thohir me Suning Group që ka blerë edhe 30% e aksioneve që zotëroheshin nga indoneziani është përzgjedhur edhe Zhang Jr, si president i ri, me klubin zikaltër që i ka uruar mirëseardhjen me një video shumë domëthënëse në profilin zyrtar në Twitter.

Përsa i përket financave ky është viti më i mirë i Interit në 15 vitet e fundit, madje më i mirë edhe se 2010-ta kur zikaltrit fituan tripletën e famshme, pasi gjatë sezonit 2017-2018 edhe pse skuadra nuk merrte pjesë në kompeticionet europiane ka patur një rritje me 9% të të ardhurave nga sezoni i kaluar me një faturim total prej 346,9 milionë eurosh. Humbjet kanë arritur kuotën më të ulët që nga sezoni 2002-2003 me vetëm 17,7 milionë euro, kjo për meritë të Suning që ka futur në klub shumë sponsorë nga Azia, por edhe për meritë të tifozëve zikaltër që vetëm për të ndjekur Interin në San Siro derdhin në arkat e klubit shuma të konsiderueshme parash.

Zhang, i cili kërkon t’i japë një nxitje projekteve ambicioze të grupit Suning, ka shfaqur lumturinë e tij në rrjetet sociale për detyrën e re. Ai ka postuar një foto të Interit dhe një tjetër të tunelit të stadiumit “San Siro”, duke shkruar dhe datën e sotme, 26 tetor 2018. Një datë e rëndësishme dhe e paharrueshme për Zhang, i cili është gati për të nisur detyrën e re në klubin italian me qëllimin dhe ambicien e madhe për të dërguar Interin në majat e futbollit botëror.