Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në margjina të Konferencës për Ekonomi në kuadër të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Budvë të Malit të Zi, ka zhvilluar një takim të përbashkët me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimin dhe integrimet rajonale për të cilat kryeministri Haradinaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të jetë kontribuuese në këtë rrugë të përbashkët të vendeve të rajonit. Në të njëjtën kohë ai ka kërkuar nga kancelari Kurz mbështetjen e Austrisë në këtë proces.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka njoftuar kancelarin Kurz dhe kryeministrin Markoviq për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, përkushtimin e institucioneve në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe agjendën e reformave evropiane.
Haradinaj po ashtu ka vlerësuar raportet e mira të Kosovës me të gjitha vendet e rajonit si dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në dialogun me Serbinë për të arritur një marrëveshje ligjërisht obligative, e cila sipas tij, do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Ai ka kërkuar nga bashkëbiseduesit mbështetjen e vendeve mike në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe në rrugëtimin euroatlantik të saj.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Haradinaj po merr pjesë në konferencën dyditore ekonomike “Montenegro 2018”, e cila mbledh në Budvë udhëheqësit dhe ministrat e Ekonomisë të vendeve të rajonit, përfaqësuesit e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe investitorët.