Gjermania pezullon eksportin e armëve ndaj Arabisë Saudite

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se “shitje e armëve ndaj Arabisë Saudite, që aktualisht në Gjermani është e kufizuar, nuk mund të bëhet në kushte të tilla”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se “shitja e armëve ndaj Arabisë Saudite, që aktualisht në Gjermani është e kufizuar, nuk mund të bëhet në kushte të tilla”.

Angela Merkel, në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin e Landit Hessen, Volker Bouffier dënoi në mënyrën më të fuqishme vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Ajo tha se ngjarja duhet të zbardhet urgjentisht dhe nënvizoi se në lidhje me këtë çështje nuk është sjellë asnjë gjë në tryezë dhe përgjegjësit nuk kanë dhënë ende llogari.

“Shitjen e kufizuar të armëve nuk mund ta bëjmë në kushte të tilla” tha Merkel dhe shtoi se do të vazhdojnë të bisedojnë për shfaqjen e një reagimi në nivel ndërkombëtar në lidhje me ngjarjen.

Edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, në një deklaratë të bërë një ditë më parë për Kanalin e parë Televiziv të Gjermanisë, ARD në lidhje me pyetjen e shitjes së armëve ndaj Arabisë Saudite nga ana e Gjermanisë, tha se “Nuk shoh një bazë pozitive për eksportin e armëve ndaj Arabisë Saudite për sa kohë që vazhdon hetimi (për vrasjen e Khashoggi) dhe nuk ka dalë ende në shesh se çfarë ka ndodhur me të”.

Arabia Saudite, që nga fillimi i vitit e deri më tani, pas Algjerisë është vendi i dytë ndaj të cilit Gjermania ka shitur më shumë armë.

Gjermania në 9 muajt e parë të vitit i shiti Algjerisë armë me vlerë 741,5 milionë euro, ndërsa kjo vlerë ishte 417 milionë euro për sa i përket armëve që ky vend i ka shitur Arabisë Saudite në të njëjtën periudhë.

Në vitin 2016 Gjermania lejoi eksportin e armëve drejt Arabisë Saudite në vlerën 530 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 e reduktoi në 249 milionë euro.

Udhëheqja e Arabisë Saudite, në lidhje me gazetarin Jamall Khashoggi, i cili rezultonte i zhdukur që nga data 2 tetor, bëri të ditur se “kishte vdekur si pasojë e një sherri që ndodhi në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll”. /TRT