2 fitore të skuadrave udhëtuese në dy ndeshjet e para të javës së 9-të në Kategorinë Superiore. Kukësi me shumë vështirë triumfoi 1-2 me përmbysje në transfertën e Fushë-Krujës ndaj Kastriotit vendas, ndërkohë që Teuta në fushën asnjanëse të Elbasan Arenës i shkaktoi humbjen e parë sezonale Laçit të Mërgjyshit që në 8 javët e para ishte skuadra e vetme që nuk e njihte shijen e disfatës.
Në stadiumin Redi Maloku në Fushë-Krujë ku Kastrioti luan ndeshjet si skuadër pritëse në këtë sezon, u luajt një sfidë shumë e bukur me Kastriotin që zhbllokoi shifrat në minutën e 21-të me brazlianin Roger të cilin e ka huzuar pikërisht nga skuadra verilindore.
Gjithsesi në fillimin e pjesës së dytë i njëjti lojtar humbi shansin ideal për të dyfishuar shifrat duke gabuar nga 11 metra distancë me Frashërin që priti penalltinë.
Po nuk shënove do të pësosh dhe 1 minutë më pas në të 55-ën kapiteni i verilindorëve Ylli Shameti barazoi shifrat. Fati nuk ishte me Kastriotin që goditi dhe shtyllën ndërsa pas rastesh të shumta të shpërdoruara nga të dyja skuadrat, në minutën e 84-ët braziliani William Cordeiro Melo realizoi golin e tij të parë me fanellën e Kukësit duke i dhënë fitoren skuadrës së Cungut në këtë transfertë delikate me Kukësin që u rikthye te fitorja pas dy humbjesh radhazi.
Kategoria Superiore – Java 9
E shtunë, më 20 tetor, ora 14:00
Stadiumi “Redi Maloku”, Fushë-Krujë
KASTRIOTI 1-1 KUKËSI
SHËNUES: Roxher 21’/ Shameti 55′
Kastrioti: Kuka, Husein, Çela, Domgjoni, Stijepoviç, Shehu, Mziu, Okebugu, Roxher (Preston 77′), Bardhi, Marku (Lila 69′). Trajner: Elvis Plori. Të gatshëm: Puja, Gallego, Vatnikaj.
Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Rrumbullaku (Zguro 66′), Çyrbja (Ethemi 46′), Shafik Tigruxha, Limaj (Dzaria 46′), Shkodra, Uilliam, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Shpehar, Qaqi.
Gjyqtarë: Klajdi Kola, Rudin Preça, Paulin Simoni, Klodian Shahini
Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Plarent Kotherja
Kartonë të verdhë: Mziu 3′ / Çyrbja 3′, Dzaria 58′
Teuta arriti një fitore shumë të rëndësishme, duke triumfuar përballë Laçit me rezultatin 0-3. Ndeshja zhvillohej në Elbasan Arena, si pasojë e punimeve që po bëhen në stadiumin e kurbinasve. Latif me anë të një dygolëshi dhe Progni ishin autorët e golave të Teutës, ndërsa Laçi provoi disfatën e parë në këtë sezon.
Bardhezinjtë nuk humbisnin në kampionat që nga prilli i sezonit të kaluar, me Teutën që fitoi me një rezultat të pastër. Ndeshja nisi keq që në fillim për ekipin e Mërgjyshit. Redon Xhixha kreu një ndërhyrje të ashpër ndaj Kallakut dhe Enea Jorgji e ndëshkoi me të kuqe. Ishte minuta e tretë e ndeshjes, por arbitri ishte i prerë në vendimin e tij.
Malore për Laçin, që pëson golin shumë shpejt. Latif shfrytëzoi një krosim të Ndrecës dhe mposhti Selmanin. “Vendasit” tentuan të reagonin, por Gerhard Progni shënoi golin e dytë në minutën e 25-të, duke vulosur ndeshjen. Djemtë e Shkëmbit u treguan të duruar, ndikuar dhe nga fakti që ishin me një lojtar më shumë pothuajse përgjatë gjithë ndeshjes. Ndëshkimi i Xhixhës dhe pësimi i dy golave të shpejtë tronditi laçianët, pavarësisht se ekipi nuk u dorëzua.
Bojan Najdenov kishte mundësi të rihapte takimin, por goditja e dënimit e maqedonasit përfundoi në shtyllë. Pjesa e parë nuk dhuroi më gola, ndërsa e dyta nisi me dëshirën e Laçit për të tentuar rihapjen e ndeshjes. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe Teuta goditi sërish. Latif shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për bregdetarët, duke vulosur përfundimisht ndeshjen. Ganezi ngjitet në kuotën e shtatë golave pas fazës së parë dhe kryeson renditjen e golashënuesve. Fitorja e dytë rresht për Teutën, që tashmë ngjitet në kuotën e 14 pikëve, ndërsa bardhezinjtë zbresin në vendin e katërt me 16 pikë.
Kategoria Superiore – Java 9
E shtunë, më 20 tetor, ora 14:00
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
LAÇI 0-3 TEUTA
SHËNUES: Latfi 17′, 72′, Progni 25′
Laçi: Selmani, Fangaj, Toro (Smaçi 56′), Gjoni, Sefgjini, Eller, Jonuzi (Hadroj 46′), Najdenov, Lushkja (Bushi 70′), Xhixha, Shtubina. Trajner: Artan Mërgjyshi. Të gatshëm: Hasanbelli, Berisha, Deliu, Altiparmakovski.
Teuta: Hidi, Beqja, Bicaj, Shkalla, Ndreca (Gjorgievski 46′), Avdyli (Gashi 55′), Osmani, Kallaku, Progni, Traore, Latif (Vecaj 77′). Trajner: Bledi Shkëmbi. Të gatshëm: Çeleski, Kruja, Kamara, Vila.
Gjyqtarë: Enea Jorgji, Denis Rexha, Rejdi Avdo, Emigers Ganxhi; Arbitra linje: Juxhin Xhaja; Kridens Meta. Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Fiqiri Haxhiraj
Kartonë të verdhë: Hidi 29′, Ndreca 45′, Gjorgievski 61′
Karton i kuq: Xhixha 3′