Moon Chung-in, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se Koreja e Jugut është një shtet i pavarur dhe sovran dhe se nuk ka nevojë për miratimin e SHBA-së për të hequr sanksionet ndaj Koresë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë Yonhap, Moon në një intervistë ka bërë të ditur se marrëdhëniet e Koresë së Jugut me SHBA-në duhet të shikohen nga perspektiva e dy shteteve sovrane.
Duke reaguar ndaj përgjigjes së presidentit amerikan Donlad Trump, i cili ka theksuar se Koreja e Jugut nuk bën asgjë “pa marrë miratimin e SHBA-së” në lidhje me deklaratat e Seulit për heqje të sanskioneve kundër Koresë së Veriut, këshilltari Moon tha: “Shprehja miratim është e gabuar. Në vend të kësaj, të drejta janë fjalët konsultim dhe dakordim. Ai (Trump) duhej të kishte thënë se Koreja e Jugut nuk do të heqë sanksionet pa u konsultuar dhe dakorduar me SHBA-në”.
Seuli nuk ka nevojë për miratimin e SHBA-së në heqjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, ka nënvizuar Moon, duke shtuar se “Koreja e Jugut është një shtet i pavarur dhe sovran”.
“Si mund të flasë kështu presidenti i SHBA-së? Pse jemi të detyruar ne të ndjekim direktivat e SHBA-së? Nëse jemi të detyruar, a jemi një vend i pavarur?”, ka thënë Moon.
Ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha, në një deklaratë me 10 tetor kishte njoftuar se Seuli ka konsideruar heqjen në masë të madhe të sanksioneve të emërtuara si “Masat e 24 majit”, të cilat u vendosën pas sulmit ndaj anijes luftarake në vitin 2010, ku si pasojë humbën jetën 45 ushtarë jugkorean.
Ndaj deklaratave të Koresë së Jugut për heqjen e njëanshme të sanksioneve reagoi edhe presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se Koreja e Jugut nuk mund të heqë sanksionet ndaj Phenianit pa miratimin e SHBA-së.
“Nuk do ta bëjnë pa miratimin tonë. Ata nuk bëjnë asnjë gjë pa miratimin tonë”, ka thënë Trump.
Pasi një luftanije e Koresë së Jugut u mbyt në vitin 2010, Koreja e Jugut filloi të vendoste sanksione të njëanshme ndaj Koresë e Veriut, të cilën e akuzoi për të fundosjen e anijes.