“Gjermania ështe një partner i rëndësishem në fushën e sigurisë”

Xhafaj duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve theksoi se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të vijojnë të punojnë fort për ta mbajtur këtë marrëdhënie në lartësinë e duhur

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, ka pritur në një takim presidentin e Policisë Federale të Gjermanisë, Dieter Romann, i cili ndodhet për në një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit, Xhafaj dhe Romann mbajtën një konfencë të përbashkët për media, ku ministri Xhafaj duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve theksoi se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të vijojnë të punojnë fort për ta mbajtur këtë marrëdhënie në lartësinë e duhur.

“Shkmëbimi intensiv i marrëdhënieve dhe informacionit nga të dy vendet, hetimet dhe operacionet e përbashkëta, rezultatet konkrete të arritura dhe ato që synojmë të arrijmë së shpejti dhe në të ardhmen, janë e vetmja mënyrë që kjo marrëdhënie të jetë e tillë dhe e orientuar drejt rezultateve të prekshme në interest të dy vendeveve tona”, tha Xhafaj.

“Të dy ndamë të njëjtin mendim se marrëdhëniet tona në fushën e bashkëpunimit në nivel institucional dhe operacional kanë hyrë në një dinamikë të re ndaj është detyra e strukturave për ta ruajtur këtë ritëm dhe për të vijuar më tej. Bashkëpunimi në luftën kundër kriminalitetit, forcimi i kapaciteteve të hetimit dhe atyre operacionale e teknike, trajnimi i stafeve policore dhe strukturave të kufirit, asistenca që pala gjermane ka dhënë dhe vazhdon të japë për policinë e Shtetit, ishin gjithashtu objekt i bisedimeve tona”, shtoi ai.

Sipas Xhafajt shumë shpejt do të vendoset në Shqipëri edhe një këshilltar gjerman për çështjet strategjike policore, i cili do të bëjë të mundur koordinimin e gjithë asistencës njerëzore dhe teknike në terma afatgjatë për policinë e Shtetit.

“Gjermania është një partner i rëdësishëm strategjik në fushën e sigurisë dhe mbetemi të angazhuar për të bërë gjithçka në funksion të thellimit të bashkëpunimit në aspekte me interes të ndërsjelltë”, deklaroi Xhafaj.

Ndërsa, Romann, nga ana e tij, tha se Shqipërinë dhe Gjermaninë i lidh një traditë e gjatë për sa i përket miqësisë dhe bashkëpunimit në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin publik.

“Fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve janë në çështjet e luftës kundër krimit të organizuar, kundër emigracionit ilegal, korrupsionit dhe terrorizmit ndërkombëtar. Ne kemi interesa që përputhën 100 për qind me njëra tjetrën dhe do të duhej që t’i ndjekim bashkarisht për t’i realizuar ato. Puna e policisë kufitare në Shqipëri vitet e fundit ka shënuar një progres të konsiderueshëm, i cili është i lexueshëm në procedurat e përbashkëta të luftës kundër krimit të organizuar, në uljen e numrit të azilkërkuesve që vijnë në Gjermani nga Shqipëria”, tha Romann.

Sipas tij, prej vitit 2013 Gjermania ka në Tiranë një oficer ndërlidhës dhe pas pak kohësh do të angazhojë edhe një ekspert tjetër të nivelit të lartë, i cili do të ndihmojë në kordinimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunim afatgjatë dhe strategjik.

“Po punojmë për një projekt binjakëzimi në fushën e kualifimimit të mëtejshëm të strukturave dhe punojësve të policisë, si dhe për angazhimin e përbashkët në shkëmbimin intensiv të informacioneve”, deklaroi Romann.