Antonio Guterres: Shanset për një zgjidhje gjithëpërfshirëse në Qipro janë ende të gjalla

Shanset për një zgjidhje gjithëpërfshirëse ndërmjet komuniteteve në Ishull janë ende të gjalla, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë prezantimit të raportit për Qipron në Këshillin e Sigurimit...

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i paraqiti të hënën Këshillit të Sigurimit raportin për Qipron.

Në raportin për Qipron, të cilin Guterresi ia prezantoi Këshillit të Sigurimit pas vlerësimeve të bëra nga ai vetë rreth konsultimeve me palët ishullore të së dërguarës speciale të përkohshme të tij për problemin qipriot, Jane Holl Lute, theksohet se “shanset për një zgjidhje gjithëpërfshirëse ndërmjet komuniteteve në Ishull janë ende të gjalla”.

Pasi tërhoqi vëmendjen se një proces i shterpë dhe pa fund tashmë i përket të kaluarës dhe se në Qipro mbizotëron një konsensus i gjerë se pazgjidhshmëria s’mund të vazhdojë, kreu i OKB-së vijoi me këto fjalë: “Unë besoj se qipriotët meritojnë një të ardhme të përbashkët, të cilën mund ta sjellë një paqe e qëndrueshme që mund të arrihet vetëm në një horizont të kthjellët.”

Duke vënë në pah se zgjidhja në Ishull do të përmirësojë dukshëm kushtet e çdo qiprioti në të ardhmen, sekretari Guterres shprehu bindjen se edhe sikur palët të pranojnë më pak nga ç’presin, zgjidhja do të ofrojë shanse rritjeje (ekonomike), mirëqenieje dhe besimi për të ardhmen.

“Të dyja palët duhet të përgatiten mirë dhe me ndjenjën e urgjencës për procesin e ardhshëm duke marrë parasysh edhe aspiratën e tyre për të negociuar”, potencoi ai duke komentuar gjithashtu se mund të nevojiten ide të reja për të marrë rezultat nga një përpjekje e re.

“Do t’i kërkoj të dërguarës sime speciale, Jane Holl Lute, që të shkojë në Ishull dhe të vazhdojë konsultimet për të konstatuar nëse ka një afrim real mbi çështjet kyçe përpara fillimit të negociatave, si dhe për të matur vullnetin e palëve për të bërë propozime të reja për një zgjidhje dhe të ardhme të përbashkët të parashikueshme edhe prej tyre vetë”, shtoi numri 1 i OKB-së.

Megjithatë, sipas raportit që Guterresi i paraqiti Këshillit të Sigurimit, përpara rifillimit të negociatave të plota, palët duhet të bien dakord mbi kushtet e referencës që do të përbënin pikënisjen e konsensusit për një përfundim të negociuar të mundshëm për problemin qipriot.

Ai tha gjithashtu se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e panevojshëm dhe për të ndjekur dialogun mbi çështjen e burimeve natyrore të Ishullit.

“Unë përsëris edhe një herë se nga burimet natyrore që gjenden në Qipro dhe përreth tij duhet të përfitojnë të dyja komunitetet. Burimet natyrore duhet të jenë një nxitje e fortë për të gjitha palët e interesuara që të punojnë me zell drejt një zgjidhjeje reciproke të pranueshme dhe të qëndrueshme”, nënvizoi sekretari Guterres.

Raporti për Qipron do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më datë 30 tetor./TRT