Maqedoni, seancë për propozimin rreth ndryshimeve kushtetuese

Para deputetëve kryeministri Zaev elaboroi propozimin për ndryshimet, ku bëri thirrje që të përfundojnë ndarjet partiake, si dhe për pajtim pas ngjarjeve të 27 prillit të vitit të kaluar

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka filluar seancën e 61-të, ku në rend dite është Propozimi i qeverisë për qasje drejt ndryshimit të Kushtetutës, ndryshim që kërkohet për të zbatuar marrëveshjen e arritur me Greqinë që është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Në debatin i cili filloi në mesditë dhe i cili më së shumti mund të zgjasë dhjetë ditë pune, grupet parlamentare të koalicionit qeveritar kërkojnë mbështetje nga deputetët për ndryshime kushtetuese, ndërkohë grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kundërshton një gjë të tillë, duke e konsideruar si të dëmshëm për popullin dhe identitetin maqedonas.

Që të miratohet nevoja për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese duhet të votohet prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Parlament. Nëse nuk sigurohet mbështetja nga dy e treta për ndryshimet e nevojshme, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, më herët paralajmëroi zgjedhje të reja parlamentare, të cilat do të organizohen me afate të shkurtuara.

– Zaev thirrje për pajtim pas 27 prillit dhe për mbështetje në ndryshimet kushtetuese

Ndërkaq, para nisjes së debatit të sotëm në Kuvend, para deputetëve kryeministri Zaev elaboroi propozimin për ndryshimet, ku bëri thirrje që të përfundojnë ndarjet partiake, si dhe për pajtim pas ngjarjeve të 27 prillit të vitit të kaluar, kur gjatë një situate kaotike të krijuar në Kuvend, qindra demonstrues të organizuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” u futën me dhunë në godinë, ku si pasojë nga dhuna e ushtruar pësuan rreth 100 persona, deputetë, policë dhe punonjës mediatik.

“Ja mundësia për të falur, për të thënë mjaftë më, për të treguar se mësojmë nga gabimet dhe se para se gjithash jemi njerëz, vëllezër e motra, të afërm dhe miq në Maqedoninë tonë të vogël të përbashkët. Ejani të fillojmë nga ai 27 prill i vitit 2017. Objektivi i parë isha unë, pastaj të gjitha deputetët, ato të shumicës, por edhe të opozitës. Të gjithë në një far mënyrë ishin objektiv i mundshëm i individëve të manipuluar të cilët dhunshëm u drejtuan ndaj deputetëve”, deklaroi kryeministri Zaev.

Ai para deputetëve theksoi se duhet të shikojnë drejt të ardhmes së tyre dhe të fëmijëve të tyre, duke shtuar se vullneti i qytetarëve është që shteti të shkojë përpara drejt anëtarësimit të barabartë në NATO dhe BE.

“Pesha e vendimit historik dhe e përgjegjësisë qëndron në duart e të gjithë neve, por nga sot përgjegjësia më e madhe është në duar tuaja. Vendimi duhet të jetë rezultat i zgjedhjes, ndërsa zgjedhja nuk mund të jetë më e qartë dhe më e pastër. Çdo deputet sot në dorë e ka çelësin e asaj zgjedhjeje, çelësin për vendimin historik. Ajo është vota juaj dhe zgjedhja juaj”, tha kryeministri Zaev.

Sipas tij, zgjedhja tjetër do të hedh vendin në izolim, pasiguri dhe varfëri, si dhe do të kthejë, siç tha ai, “traumat politike që i përjetoi vendi në 27 vitet e fundit, veçanërisht gjatë viteve të fundit”.

Të premten, pas një debati dyditësh në Komisionin parlamentar për çështje kushtetuese, u miratuan konkludimet për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese dhe qeveria në afat prej 15-ditësh të përgatitë projekt-amandamente dhe t’ia dorëzojë Kuvendit. Mbështetje për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese dhanë deputetët e shumicës në pushtet, ndërsa VMRO-DPMNA-ja opozitare votuan kundër.

Propozimi për ndryshime dhe plotësime kushtetuese përmban disa pika, duke përfshirë shtesën “e Veriut” në emrin aktual të Republikës së Maqedonisë, ndryshime në preambulën e Kushtetutës, garanci për kufijtë territorial të Maqedonisë, si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.

Kujtojmë se propozimi për ndryshime kushtetuese vjen pas referendumit për pranimin e marrëveshjes me Greqinë dhe integrimin e vendit në BE dhe NATO, i cili u mbajt më 30 shtator. Në këtë referendum konsultativ pjesëmarrja në votim ishte 36,91 për qind, prej të cilëve “për” votuan 91,46 për qind, ndërsa “kundër” 5,65 për qind. Që referendumi të kalonte me sukses, sipas ligjit, nevojitej pjesëmarrja e mbi 50 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve.