Liga Arabe ka paralajmëruar se Izraeli ka zgjeruar ndërtimin e vendbanimeve hebreje në mënyrën që të përfshijë brenda tij të gjithë Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një raport të përgatitur nga njësia e territoreve palestineze dhe arabe e Ligës Arabe janë shqyrtuar mbështetja financiare e Izraelit për vendbanimet hebreje dhe mbështetja për formimin e vendbanimeve të reja duke konfiskuar territoret palestineze.
Në raport paralajmërohet se aktivitetet për vendbanimet po zgjerohen me shpejtësi për shkak të nxitjes nga SHBA-të dhe mos kërkimit të llogarisë nga komuniteti ndërkombëtar dhe se këto zgjerime janë bërë në mënyrën për të përfshirë brenda tij të gjithë Bregun Perëndimor.
Po ashtu në raport qeveria izraelite nën kryesimin e Benjamin Netanyahu-t është akuzuar për shkelje të ligjeve ndërkombëtare, e cila pasi konfiskon territoret palestineze legjitimon ndërtimin e njësive të vendbanimeve.
“Në Kudsin Lindor janë kryer 1.24 miliardë dollarë investime, ku pavarësisht popullsisë së barabartë arabe dhe hebreje këtu këto investime janë kanalizuar 87 për qind për lagjet hebreje dhe 13 për qind për lagjet palestineze”, thuhet në raportin ku bëhet e ditur se Izraeli me politikën e tij aparteid u shpërndan në mënyrë sistematike toka hebrenjve.
Zgjerimi i vendbanimeve hebreje është një nga pengesat më të mëdha për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Bisedimet e paqes midis Izraelit dhe Palestinës u ndalën në prill 2014, sepse Izraeli “refuzoi të pranonte kufijtë e vitit 1967, të drejtën e kthimit të palestinezëve që i janë nënshtruar migrimit të detyruar dhe ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve hebreje”.
Thuhet se Izraeli ka themeluar 131 vendbanime në Bregun Perëndimor, të pushtuara që nga viti 1967, 10 vendbanime në Kudsin Lindor dhe 116 vendbanime në kodrinat e Bregut Perëndimor.
Theksohet se 500 mijë kolonë banojnë në vendbanimet e Bregut Perëndimor dhe 220 mijë në Kudsin Lindor, dhe se Izraeli synon që në një kohë të shkurtër të rrisë numrin e banorëve kolonë në Bregun Perëndimor në 1 milion.