Në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua një takim për prezantimin e paketës së amendamenteve të kodit zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODHIR, për tre zgjedhjet e fundit të viteve 2013, 2015 dhe 2017, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në këtë tryezë ishin zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, bashkëkryetari i Komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore, Bledar Çuçi, kryetarë të partive politike parlamentare dhe jo parlamentare, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të zgjedhjeve.
Në fjalën e tij, Çuçi, tha se janë mbledhur në këtë tryezë në një fazë të rëndësishme të reformës zgjedhore për të ndarë një projekt shumë fillestar të amendamenteve të kodit zgjedhor që sipas tij, adresojnë strikt vetëm rekomandimet e OSBE/ODHIR për zgjedhje e fundit në Shqipëri.
“Ky nuk është një projekt i njëanshëm i përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Parlament. Është një projekt i hartuar nga ekspertë dhe është rezultat i një procesi disa mujor që kemi zhvilluar si komision parlamentar për reformën zgjedhore dhe një përkthim në mendime përkatëse të konkluzioneve të gjashtë tryezave për reformën zgjedhore dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ekspertëve ndërkombëtarë etj”, tha Çuçi.
Duke folur për draftin, Çuçi tha se ai pasqyron konkluzionet e rekomandimeve të OSBE/ODHIR. “Për shkak të situatës ku ndodhemi nuk kemi përfshirë në këto amendamente dy çështje që vijnë si rezultat i kërkesave nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike dhe përkatësisht çështjet që lidhen me përdorimin e teknologjisë në zgjedhje dhe mundësimin e votimit të shqiptarëve që votojnë jashtë Shqipërisë”, tha Çuçi.
Aktualisht po vazhdon punën një komision i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë për reformën zgjedhore, ku synohen ndryshime në kodin zgjedhor për disa çështje, si për partitë politike, teknologjitë në zgjedhje, etj.