Qeveria maqedonase propozon në Parlament dokumentin për ndryshimet kushtetuese

Udhëzimet e propozuara do të duhet të shqyrtohen në Komisionin për Çështje Kushtetuese, ndërsa më pas do të duhet të kalojë në seancë plenare, ku për t’u miratuar do të nevojitet vota e dy të tretave të deputëve

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, pas seancës së jashtëzakonshme qeveritare, ka bërë të ditur se Qeveria ka dorëzuar në Parlament propozimin për qasje drejt ndryshimeve kushtetutese, i cili përmban udhëzime për ndryshim dhe plotësim të Kushtetutës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëzimet që u propozuan pasditen e sotme në seancën e jashtëzakonshme qeveritare do të duhet të shqyrtohen në Parlament, respektivisht në Komisionin për Çështje Kushtetuese, ndërsa më pas do të duhet të kalojnë në seancë plenare, ku për t’u miratuar do të nevojitet vota e dy të tretave të deputëve të Parlamentit të Maqedonisë, i cili ka gjithsej 120 deputetë.

Boshnjakovski theksoi se qeveria tekstin e harmonizuar e përcaktoi në përputhje me paraqitjet në diskutimin në seancë dhe të njëjtin e dorëzoi në Parlamentin e Maqedonisë, që atje të vazhdojë proceset e mëtejshme të shqyrtimit dhe votimit.

“Tani të gjithë anëtarët e Parlamentit, të gjithë deputetët, pa marrë parasysh cilës parti politike i takojnë, kanë detyrë historike dhe obligim para qytetarëve të sigurojnë rrugën e Maqedonisë drejt stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit ekonomik. Kjo është rruga drejt BE-së dhe NATO-s, që kalon përmes marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”, deklaroi Boshnjkovski.

Sipas tij, populli ka bërë një zgjedhje të rëndësishme dhe shumica e qytetarëve në referendum mbështetën një çështje dhe një qëllim për të ardhmen e vendit, që siç tha ai, është një hap që duhet realizuar.

“Nga sot realizimi i këtij vizioni është në duart e çdo deputeti veçmas dhe ajo varet prej tyre. Ata duhet të marrin vendim me të cilin do ta bëjnë Maqedoninë vend më të mirë, vend të mirë për të jetuar për çdo qytetar”, u shpreh Boshnjakovski.

Zëdhënësi i qeverisë maqedonase bëri të ditur se propozimi për ndryshimet dhe plotësimet kushtetutese përmban disa pika, duke përfshirë shtesën “Veriore” në emrin aktual të Republikës së Maqedonisë, ndryshime në preambulën e Kushtetutës, garanci për kufijtë territorial të Maqedonisë, si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.

Ai shprehu pritje se nga dita e nesërme Parlamenti do të fillojë punën me propozimin e qeverisë për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese.

Kujtojmë se pas mbajtjes së referendumit për pranimin e marrëveshjes me Greqinë dhe integrimin e vendit në BE dhe NATO, qeveria dhe opozita dolën me qëndrime të ndryshme. Qeveria kërkoi që marrëveshja të ratifikohet në Parlament me dy të tretën e votave që aktualisht nuk e ka ose në të kundërtën zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare, ndërsa opozita nga ana tjetër kërkon të refuzohet marrëveshja me Greqinë ose të formohet qeveri teknike 100-ditore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në referendumin konsultativ të 30 shtatorit pjesëmarrja në votim ishte 36,91 për qind, prej të cilëve “për” votuan 91,46 për qind, ndërsa “kundër” 5,65 për qind. Që referendumi të kalonte me sukses, sipas ligjit, nevojitej pjesëmarrja e mbi 50 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve.