Omer Çelik: Turqia mund të hapë dhe mbyllë të gjithë kapitujt e BE-së në 6 muaj kohë

Turqia ka kapacitet për të hapur dhe mbyllur të gjithë kapitujt e BE-së brenda gjashtë muajve nëse kryhen negociata parimore, ka deklaruar të dielën zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, Omer Celik...

Turqia ka kapacitet për të hapur dhe mbyllur të gjithë kapitujt e BE-së brenda gjashtë muajve nëse kryhen negociata parimore, ka deklaruar të dielën zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet, Omer Celik.

“Ndalimi i hapjes së kapitujve (në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian) është një shenjë e mungesës së vetëbesimit”, tha Omer Çelik duke folur për gazetarët pas takimit konsultativ të AK Partisë në Ankara.

Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987, ndërsa bisedimet e aderimit filluan në 2005-n.

Për të fituar anëtarësimin, Turqia duhet të përfundojë me sukses negociatat mbi 35 kapituj politikë që përfshijnë reforma dhe miratimin e standardeve evropiane. Që nga maji i vitit 2016, janë hapur gjithsej 16 kapituj dhe është mbyllur vetëm njëri prej tyre.

Në dhjetor 2016, blloku 28-anëtarësh bëri me dije se nuk do të hapen kapituj të rinj për Turqinë.

Megjithatë Ankaraja ka ndërmarrë kohët e fundit nisma për të rifilluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Nga ana tjetër, Omer Çelik foli edhe për incidentin e gazetarit saudit të zhdukur pasi hyri në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

“Ne jemi të ndjeshëm në lidhje me këtë çështje. Siguria e jetës së askujt nuk mund të kërcënohet në Turqi pavarësisht nëse ai/ajo është shtetas turk apo jo”, theksoi zëdhënësi i AK Partisë duke nënvizuar se Turqia është “një shtet i sigurt dhe i besueshëm”.

Policia turke ka nisur një hetim të martën.

“Natyrisht, ne nuk fajësojmë askënd pa parë fotografinë e plotë”, vlerësoi Celik duke shtuar se gazetari Jamal Khashoggi nuk është larguar nga Konsullata saudite në Stamboll që kur hyri në ndërtesë më 2 tetor.

Ai potencoi se Turqia do të zbulojë se kush është përgjegjës për zhdukjen e korrespondentit të gazetës amerikane “The Washington Post”./TRT