Shinzo Abe: Britania e mirëpritur në Marrëveshjen tregtare të Paqësorit

"Unë me të vërtetë shpresoj se ndikimi negativ i Brexit-it në ekonominë globale, përfshirë bizneset japoneze, do të minimizohen", tha kryeministri japonez Abe

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka deklaruar se Britania e Madhe “me krahë të hapur” do të ishte e mirëpritur në Partneritetin Trans-Paqësor (TPP), transmeton Anadolu Agency (AA).

Komentet e kryeministrit japonez për Financial Times vijnë para pak javëve të rëndësishme që do të krijojnë një marrëveshje midis Britanisë dhe Bashkimit Evropian (BE).

Abe tha se pas Brexit-it Britania do të humbiste rolin e saj si një portë për në BE, por se do të mbetet një vend i pajisur me “fuqi globale”. Ai po ashtu paralajmëroi palët negociuese të përdorin “mençurinë” për të shmangur një skenar pa marrëveshje.

“Unë shpresoj se të dyja palët mund të kontribuojnë me mençurinë e tyre dhe të paktën të shmangin një të ashtuquajtur Brexit të rrëmujshëm. Unë me të vërtetë shpresoj se ndikimi negativ i Brexit-it në ekonominë globale, përfshirë bizneset japoneze, do të minimizohen”, tha kryeministri Abe.

TPP ka 11 anëtarë duke përfshirë Japoninë, Kanadanë, Australinë, Malajzinë dhe Meksikën.

Bisedimet e Brexit-it kanë ngecur pasi BE-ja refuzoi një marrëveshje të kryeministres britanike, Theresa May, në një takim informal të mbajtur në shtator në Salzburg.

“Britania nuk ka frikë të largohet nga BE-ja pa marrëveshje nëse duhet”, u shpreh kryeministrja May javën e kaluar.

Duke folur në konferencën e vjeshtës së Partisë Konservatore, kryeministri May tha se mund të thuhet se duke lënë bllokun pa asnjë marrëveshje do të ishte e vështirë në fillim me tarifat e vendosura, megjithatë Britania do të përparonte.

Sekretari për Brexit-in, Dominic Raab, po ashtu akuzoi BE-në për mospërputhjen me përpjekjet e Britanisë, duke kërkuar “më shumë respekt” nga blloku në bisedimet e Brexit-it.

Britania dhe negociatorët e BE-së do të takohen në mes të tetorit dhe do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje mbi çështjet e ngjeshura të tilla si e ardhmja e kufirit midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut, të drejtat e qytetarëve, si dhe marrëdhëniet e ardhshme tregtare midis palëve.

Sipas udhëheqësve të BE-së, një samit emergjent i Brexit-it do të thirret nëse palët përparojnë në një marrëveshje të mundshme.

Është planifikuar që Britania të largohet nga Unioni më 29 mars të vitit 2019.