Fotoreporteri iranian Enayat Asadi tha se i ndjek historitë duke e observuar së pari veten, e pastaj ngjarjet përreth. “Mendoj se edhe në profesionin e fotografisë ajo që duhet të ndodhë është që së pari të dëgjosh zemrën dhe zërin e brendshëm. Vetëm atëherë mund të kuptosh ndjenjat e vërteta të njerëzve”, thotë ai.
Asadi i cili fitoi vendin e dytë në kategorinë e “lajmit seri” në garën ndërkombëtare të fotografisë “Istanbul Photo Awards 2018”, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) dha informacione në lidhje me punën e tij.
Ai në vitin 2009 ka nisur punën si fotoreporter. Asadi njofton se në fillim të jetës së tij profesionale, në vitet 2009-2011 ka punuar në Afganistan.
“Po i ndjek historitë duke i observuar ngjarjet përreth”
Asadi thotë se përderisa qëndronte në Afganistan përpiqej që të fotografonte luftën e brendshme në atë vend. Ai bëri të ditur se më pas është kthyer në Iran dhe se ka punuar për të realizuar projekte të ndryshme.
Në fotografi, ai thotë se së pari ndjek historitë të cilat e reflektojnë botën e tij të brendshme. “I ndjek historitë duke e observuar së pari veten, e pastaj ngjarjet përreth. Mendoj se edhe në profesionin e fotografisë ajo që duhet të ndodhë është që së pari të dëgjosh zemrën dhe zërin e brendshëm. Vetëm atëherë mund të kuptosh ndjenjat e vërteta të njerëzve”, thotë Asadi.
Duke shpjeguar se në mjediset ku bën fotografi gjithmonë përpiqet që të formojë empati ndaj njerëzve, Asadi thotë se ky profesion i jep një ndenjë të lirisë aq saqë nuk gjen në asnjë vend tjetër.
“Ndonjëherë pres me muaj për të bërë një fotografi”
Enayat Asadi thotë se në fotografitë e tij me të cilat ka marrë pjesë në “Istanbul Photo Awards” ka trajtuar refugjatët e Afganistanit, të cilët kanë ikur nga vendi i tyre për shkak të DEASH-it apo çështjeve të ndryshme.
“Fotografova hyrjet nëpër rrugë ilegale dhe vështirësitë e hasura gjatë kësaj rruge të njerëzve që iknin nga Afganistani në Pakistan dhe nga Pakistani në Iran, dhe ato i shndërrova në një seri të fotografive. Realizimi i fotografive, sidomos i atyre siç bëj unë me histori është një punë që kërkon durim të madh dhe përulësi. Ndonjëherë pres me muaj për të bërë një fotografi. Për këtë arsye kur dëshiron të bësh fotografi me tregime, duhet të kesh durim”, tha ai.
Duke vënë në dukje se profesioni i tij është shumë me stres, Asadi thotë se “Personi që ndodhet përpara duhet të ketë besim tek ti. Sipas meje kjo është një pikë e rëndësishme edhe brenda jetës. Për shkembull në rrugëtim së bashku me refugjatët nga Afganistani më duhej që t’i bindi edhe kontrabanduesit për të shkuar me ta. Me të vërtetë është një gjendje stresuese. Frikësohesha mos po i humbja fotografitë apo mos të më arrestonin. Kjo gjendje gjithmonë më shkaktonte presion psikologjik”.
“Pjesëmarrja në ‘Istanbul Photo Awards’ ishte shumë e vlefshme për mua”
Ai tha se për herë të parë ka marë pjesë në “Istanbul Photo Awards”. “Para se të marrë pjesë në këtë garë, kisha analizuar edhe gara të tjera të shumta. Në mesin e garave i zgjodha 5. Ato i zgjodha sepse ishin garat më të mira në fushat e tyre dhe me mendimin se mund të shtojnë vlerë në karrierën time. Kur shikoni në mbështetësit, pjesëmarrësit dhe jurinë e ‘Istanbul Photo Awards’ mund të shihni se sa kualitative është. Pjesëmarrrja në këtë garë ishte shumë e vlefshme për mua”.
Në vijim Asadi u shpreh se deri në fund të këtij viti do të vazhdojë të bëjë fotografi mbi kontrabandimin e njerëzve. “Në punën time të re do të trajtoj rrugëtimin e refugjatëve duke filluar nga Deti i Omanit, në Pakistan, kufijtë perëndimor të Teheranit dhe nga ai vend në Turqi dhe më pas për në Greqi. Aktualisht pikëfokusi për mua është kalimi i njerëzve nga rajoni kufitar i Iranit me Turqinë për në Turqi dhe nga ai vend për në Greqi”.
“Për mua nuk është i rëndësishëm ‘ai moment në fotografi’. Është i rëndësishëm respekti”
Asadi thotë se përpiqet që mos t’i lëndojë njerëzit që i fotografon, e të cilët janë në një luftë të vështirë.
“Në të vërtetë, kjo është pika më kryesore. Sepse ata ikin nga një jetë dhe luftë shumë e vështirë. Përpiqen të udhëtojnë drejt lirisë. Në këtë rrugë ka banditë, po ua marrin paratë. Kur i pashë ata në fillim, frika ishte emocioni që kishin në sy. Unë u afrohesha atyre me një qëndrim shumë miqësor, bamirës dhe të sinqertë. Në të vërtetë për mua nuk është i rëndësishëm ‘ai moment në fotografi’. Është i rëndësishëm respekti. Kur mua më thonë ‘mos më fotografo’ ka pasur raste që e kam lënë fotografimin'”, thotë Asadi.
Ai thotë se dëshiron që të gjitha fotografitë e realizuara deri më tani t’i përmbledhë në një libër dhe të hapë një ekspozitë me to.
“Istanbul Photo Awards”, gara ndërkombëtare e fotografisë e cila organizahet që katër vite nga Anadolu Agency (AA), do të fillojë të pranojë aplikimet mes datave 1 nëntor 2018-31 janar 2019. Fotografistët profesionalë mund të aplikojnë nga uebfaqja www.istanbulphotoawards.com.