Në futboll thuhet se formacioni fitues nuk ndryshohet. Ze Maria nuk ka ndërmend të bëje eksperimente të tjera, pritet të konfirmojë formacionin titullar të transfertës së Korçës, që edhe pse përfundoi në barazim, për bardheblutë ishte si një fitore, më shumë morale, pasi kishte përballë kampionët në fuqi.
Në portë, nga minuta e para do të jetë Ilion Lika, një portier ekspert, që e ka kaluar disa herë provën e derbit, që supersfidë që kërkon përvojë dhe qetësi, duke shmangur presionin e tepërt. Në mbrojtje, nga e djathta në të majtë do të jenë Doka, Turtulli, Berisha dhe Imami.
Në mesfushë braziliani e ka mendjen të ndarë, me Dajën dhe Hasanin në qendër, ndërsa reparti plotësohet nga Mawejwe dhe Cobninah. Në vijën e parë është i padiskutueshëm Blazhevski, ndërsa dilema e vetme e Ze Maria mbetet për aktivizimin e Oduamadit apo të Sentamu, i cili ka dhënë sinjale pozitive edhe në Kupë.
Sa i përket Partizanit, formacioni duket i vendosur, pikërisht ai që triumfoi ndaj Flamurtarit në “Selman Stërmasi”. Në portë Alban Hoxha, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Ibrahimi, Belica, Atanda dhe Trashi. Për këtë të fundit ka një dilemë nëse e ka kaluar plotësisht shtqetësimin që pati ndaj Flamurtarit. Në mesfushë Telushi, Hila dhe Mala mbeten të padiskutueshëm, ndërsa në sulm priten Mensah dhe Asani do të jenë në mbështetje të Bardhit. Nëse Gega vendos të aktivizojë Hebajn, mund të sakrifikohet Mensah, me Bardhin më të tërhequr.
Trazira në derbi? Drejtuesit e Tiranës dhe Partizanit takohen para ndeshjes
Pas takimit të djeshëm në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Tiranë, në lidhje me derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani, FSHF ka iniciuar sot një takim të dytë në zyrat e saj nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, përfaqësuesve të klubeve respektive të kryeqytetit, Tiranës e Partizanit, shefit te Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, si dhe autoriteteve të sigurisë private.
Si një çështje shumë sensitive për garantimin e sigurisë publike për specifikën e një ndeshje të tillë derbi, sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku u solli edhe një herë në vëmendje palëve angazhimin e tyre maksimal, për mbarëvajtjen e një takimi të tillë.Ai ftoi përfaqësuesit e klubeve të gjejnë dakordësinë e tyre në lidhje me vendqëndrimet e tifozerive përkatëse, teksa nga ana e tij Drejtori i klubit Tirana, Arbi Laçi garantoi marrjen e masave totale për të mos patur asnjë problematikë serioze mes tifozerive gjatë derbit. Gjithashtu sekretari Shulku ftoi klubet të vazhdojnë komunikimet e tyre sensibilizuese me tifozeritë respektive për të shmangur çdo incident të mundshëm që do t’ia cënonte bukurinë një derbi të tillë.
FSHF nga ana e saj do të vazhdojë të ndjekë me kujdesin maksimal çdo detaj organizues për një ecuri sa më normale të takimit. Ajo gjithashtu kërkon një vigjilencë të madhe edhe nga forcat e policisë së shtetit, të cilat edhe pse nuk do të jenë brenda perimetrit të stadiumit, sërish ftohen të jenë në gadishmëri të plotë për çdo eventualitet.
Tirana-Partizani: Statistikat, pasioni dhe krenaria, “derbi nuk o derbi”
Tik-tak, tik-tak, ora e derbit po afron… Sekondat, minutat dhe orët duken një përjetësi. “Ultras Guerrils” dhe “Tirana Fanatics” po mendojnë detajet e koreografive, rrugëtimin që të çon drejt stadiumit dhe ndonjë surprizë për kundërshtarët. Pasioni për ekipet e tyre kalon kufijtë, nuk ka rëndësi as puna, as shkolla, asgjë. Derbi ka depërtuar në çdo qelizë, pasi përditshmëria e tyre lidhet me këtë ndeshje. Tifozët ngacmojnë njëri-tjetrin dhe kërkojnë nga ekipet që të nesërmen e Tirana-Partizanit të dalin me kokën lart dhe gjoksin përpara në rrugë me një fanellë të ekipit të zemrës.
Takimi i së kësaj të premteje është një jubile e bukur, pasi do të luhet sfida e 150. Tirana dhe Partizani kanë deri tani 149 ndeshje mes tyre. Një rrugëtim i bukur që na ka sjellë emocione, drama, ka krijuar heronjë dhe ka thyer idhuj. “Derbi nuk o derbi”, – siç është fjalia bajate dhe monotone që kemi dëgjuar vitet e fundit nga specialistët që kanë frikë të përcaktojnë fituesit. Ky takim është më shumë se një ndeshje e radhës, është krenari, është dominim është “trofe”. Nga vitit 1947 e deri më 2018 janë luajtur 149 takime në të gjitha kompeticionet Kupë dhe Kampionat.
Kryeqyteti ka qenë i ndarë me thikë dhe stadiumi ka shqyer qiellin për shkak të tifozerive. Ndër të vetmet raste ku tubimet politike mund të lihen pas, e nëse ke guximin t’i thuash një tifozi që kjo ndeshje është thjesht takimi i radhës, mund të të shohë çuditshëm dhe të të hapë rrugën. Në fytyrë i lexohet thënia e urtë popullore me budallain.
Tifozët e kuq krenohen me derbit e fituara, pasi kryesojnë me 62 takime, ndërsa bardheblutë kanë vetëm 40 fitore kundër Partizanit. 47 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim. 22 fitore më pak që mundohen t’i justifikojnë me 24 titujt kampionë, ndërsa për të kuqtë kjo llogaritje nuk vlen, pasi u duket klishe.
Partizani dominon dhe në golavarazh, pasi “demat” kanë shënuar gjithsesj 216 gola, ndërsa bardheblutë vetëm 164. Nëse i refrohemi derbit në vitet e fundit, tifozët bardheblu mund ta vuajnë më shumë se njollën e turpit në Kategorinë e Parë, pasi nuk shohin fitore që prej 7 shkurtit të 2014, kur Gilberto shënonte në minutën e 77′. Tirana nuk sheh fitore që prej 4 vitesh, pasi sfidat e tjera kanë përfunduar në barazim ose në fitoren e “demave”. 13 ndeshje pa fitore, janë shumë, tmerrësisht shumë, por shpresojnë që të premten të dëgjohet një tjetër melodi. Të kuqtë, ndryshe nga kundërshtarët e tyre, duan të luajnë të njëjtën simfoni. Kampionati ka nisur, derbi është rikthyer, fitoftë futbolli i bukur!
Gjyqtarë të FIFA-s për derbin, kryesor Enea Jorgji
Drejtimi i një ndeshjeje e madhe kërkon përveçse cilësi dhe integritet edhe një përvojë të gjatë. Për derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani, që rikthehet thuajse pas një viti e gjysmë, Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë e detyruar të përzgjedhë një treshe gjyqtarësh ndër më të mirët në qarkullim.
Mësohet se në “Selman Stërmasi” do të vendosë drejtësi kryesori i kolegjiumit të Elbasanit, Enea Jorgji, ndërsa ndihmës së tij do të jenë Rejdi Avdo dhe Ermal Barushi.
Të gjithë këta arbitra jnë shumë të njohur në futbollin shqiptar si dhe kanë marrë stemën e FIFA-s.
Për herë të fundit Enea Jorgji ka drejtuar një përballje Tirana-Partizani në shtator të 2016, takim që u luajt në “Elbasan Arena” dhe u mbyll në barazim 0-0.
Derbi provë për tifozët, policia e gatshme vetëm në ambientet e jashtme
Janë marrë të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbarëvajtjen e derbit Tirana-Partizani, ku “Selman Stërmasi” pritet të jetë i ezauruar. Dy klubet e kryeqytetit, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Policinë e Shtetit janë 100% të angazhuar për të shmangur çdo incident të mundshëm në këtë dite feste për futbollit shqiptar.
Sigurisht që presioni është i madhe për faktin se forcat e policisë nuk do të jenë në ambientet e brendshme të “Selman Stëmasit” (përveçse në tunelet), por të gatshme jashtë impiantit për të ndërhyrë nëse do të jetë e nevojshme. Janë angazhuar të paktën 70 stjuardë, për të mbajtur rregullin gjatë akomodimit dhe zhvillimit të ndeshjes.
Deri në orën 11:00, sipas shefit të zyrës së marrëdhënieve me publikun dhe me jashtë te Tirana, Mario Nikolli, kishin mbetur pa shitur 600 deri 1000 bileta në sektorët përballë tribunës kryesore, që janë të rezervuar për tifozët bardheblu, ndërsa pjesë tjetër është ezauruar.
Nga roveshata e Gilbertos te perlat e Mazrekajt dhe Nexhipit. Ja skenari i golave të derbit
Tirana dhe Partizani rikthehen të për ballen mes tyre në sfidën më të bukur të Kategorisë Superiore. Që me rikthimin e të kuqve në Kategorinë Superiore janë zhvilluar 15 ndeshje derbi në kampionat. Nëse bardheblutë krenohen me mrekullinë e Gilbertos, i cili realizoi një gjysmëroveshatë në mars 2014, të kuqtë kanë disa perla. “Panorama Sport” bën skanerin e 15 ndeshjeve të fundit mes kryeqytetasve, katër prej të cilave kanë përfunduar me rrjeta të paprekura. Në 11 takime me gol, gazeta sjell mënyrën e shënimit ku dominon goli me të djathtën.
Bardheblutë – Shtatlartësia nuk ka munguar në vitet e fundit te 24 herë kampionët e vendit, ndërsa Muça, Edeh dhe Teqja kanë arritur të shënojnë me kokë. Mirëpo, në totalin e golave bardheblu në derbi, ku numërohen nëntë të tillë, dy prej tyre janë realizuar me këmbën e majtë. Mirëpo, goli për vitrinë i Tiranës është realizimi i Gilbertos, i cili ka vulosur fitoren e fundit të tyre në përballjet me të kuqtë. Një gjysmëroveshatë, e cila kujtohet ende si i fundit triumf.
Partizani – Fitore dhe krenari. Të kuqtë kanë shumë për të kujtuar në këto 15 derbi. Fitore, barazime dhe perla. Dy prej të cilave, veçohet harkimi i Nexhipit që përfundoi në rrjetë dhe harkimi në formë gjuajtje i Mazrekajt që gjithashtu kanë shënuar për të kuqtë nga goditjet e dënimit pa asnjë devijim. “Majtoshët” gjithashtu janë të shumtë te të kuqtë, që kanë gjetur pesë herë golin, ndërsa me kokë gjashtë gola. Me pak fjalë, të kuqtë shënojnë me çdo mënyrë.
E djathta – Derbi anon djathtas! Lehtësisht vihet re dominimi i golave me të djathtën, teksa Tirana ka shënuar 4 herë dhe Partizani 6; Në total, 10 gola nga 26. Të premten është përballja e radhës, ku tifozëritë respektive presin fitore, ndërsa opinioni sportiv pret… gola dhe spektakël.
SI JANË BËRË GOLAT
12.10.2013/ Partizani-Tirana 1-0
Goli: Demiri 57′
57′ Musta kroson, Demiri shënon me portën bosh me kokë, 1-0.
07.02.2014/ Tirana-Partizani 1-0
Goli: Gilberto 78′
78′ Kalari kroson, Gilberto në gjysmëkthesë me të djathtën shënon, 1-0.
22/03/2014/ Partizani-Tirana 1-1
Golat: Nexhipi 90+3’/ Morina 42′
42′ Gent Muça kroson, Morina gjuan me të djathtën. 1-0 për Tiranën.
90+3′ Goditje këndi, Nexhipi me kokë dhe 1-1.
08/12/2014/ Partizani-Tirana 2-0
Golat: Nexhipi 1′, Mazrekaj 11′ (11-m)
1′ Goditje dënimi, Nexhipi kroson me të majtën, dhe në rrjetë, 1-0.
11′ Fejzullahun rrëzohet dhe, penallti. Mazrekaj me të djathtën, 2-0.
13/03/2015/ Tirana-Partizani 1-2
Golat: Morina 61’/ Nexhipi 25′, Raçiç 33′
25′ Në zonën e Tiranës, Raçiç për Nexhipin, gjuan me të majtën, gol 0-1.
33′ Kros, Frashëri bën një gafë dhe Raçic me të djathtën shënon, 0-2.
61′ Taku kroson, Morina e devijon me të majtën, 1-2.
04.05.2015/ Partizani-Tirana 2-2
Golat: Fazliu 55′, Mazrekaj 82’/ Elis Bakaj 34′, 84′
34′ Topi te Morina që pason për Sefën i cili godet. Portieri largon, por Bakaj shënon me të djahtën, 0-1.
55′ Mazrekaj kroson, përfiton Fazliu që godet në formë parabole me të djathtën; shtyllë e më pas kalon vijën fatale, 1-1.
82′ Goditje dënimi, Mazrekaj i befason të gjithë, me të djathtën direkt në portë, supergol dhe 2-1.
84′ Taku dërgon topin në zonë te Bakaj, shënon me të majtën, 2-2.
03.10.2015/ Partizani- Tirana 1-0
Goli: Sukaj 50′
50′ Fejzullahu shërben për Sukajn, gjuan tokazi me të majtën, 1-0.
04.03.2016/Partizani – Tirana 2-0
Golat: Sukaj 6′, Fejzullahu 12′
6′ Fejzullahu kroson në zonë, Sukaj zhytet me kokë dhe shënon, 1-0.
12′ Goditje dënimi; Filipe Gomez kroson, Fejzullahu me kokë, 2-0.
04/05/2016 / Tirana-Partizani 2-2
Golat: G.Muça 28′, Elis Bakaj 47’/ Xh.Sukaj 21′, Fili 90+5′
21′ Sukaj kontrollon dhe driblon Teqjen, lëshon të majtën, 0-1.
28′ Goditje dënimi, Vucaj kroson dhe Muça shënon bukur me kokë, 1-1.
47′ Lika jep asist për Elis Bakajn, gjuan me të djathtën, 2-1.
90+5′ Raçiç spond me kokë te Fili, gjuan me të majtën dhe gol.
20.02.2017 / Partizani-Tirana 2-1
Golat: Malota 12′, Ekuban 71’/ Teqja 47′
12′ Trashi ekzekuton goditje dënimi, Malota me kokë gjuan saktë, 1-0.
47′ Gilman Lika kroson në zonë dhe Teqja shënon me kokë, 1-1.
71′ Fejzullahu për Torasën i cili i pason Ekubanit që me të djathtën shënon, 2-1.
28.04.2017 / Tirana-Partizani 1-2
Golat: Edeh 14′ / Batha 45′ (11-m), Sukaj 87′
14′ Merveil kroson bukur për Edeh, i cili godet saktë me kokë, 1-0.
44′ Batha ndalet nga Doka, penallti. Vetë mesfushori gjuan me të djathtën, 1-1.
87′ Fejzullahu krosim model dhe Sukaj me kokë mposht Likën, 1-2./LajmeSportive