Ministri holandez: YPG ka lidhje me organizatën terroriste PKK

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok tha se organizata terroriste YPG bën shkelje të të drejtave të njeriut dhe se ka lidhje me organizatën terroriste PKK

Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok tha se organizata terroriste YPG bën shkelje të të drejtave të njeriut dhe se ka lidhje me organizatën terroriste PKK, transmeton Anadolu Agency (AA).

Blok iu përgjigj me shkrim pyetjeve të deputetëve të Komisionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me mbështetjen e ofruar nga qeveria për opozitarët në Siri.

Ai tha se Qeveria e Holandës nuk ofron mbështetje për YPG/ PKK-në, nën emrin “Forcat Demokratike të Sirisë (FDS)”. “Janë publikuar raporte të ndryshme për shkeljet e të drejtave të njeriut nga YPG. Si shtesë, YPG ka lidhje me PKK-në, e cila ndodhet në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian (BE). Po ashtu YPG ka lidhje me regjimin dhe po lufton kundër grupeve të moderuara opozitare për të arritur në synimin për rajon autonom”, tha Blok.

Sipas tij, për armatosjen e një grupi opozitar duhet të ketë një bazë ndërkombëtare ligjore.

“Poqëse do të kishte qëllime që armët të përdoren vetëm kundër DEASH-it, për këtë do të mund të formohej një bazë ligjore. Raporti për shkeljet e të drejtave të njeriut, kontakti i YPG-së i cili luan rol dominant në FDS me regjimin dhe e vërteta e lidhjes së YPG-së me PKK-në është arsye që Qeveria e Holandës të mos ofrojë mbështetje për FDS-në”, tha Blok.

Duke tërhequr vëmendjen në raportet e Amnesty International dhe Human Rights Watch për YPG/PKK-në, Blok vuri theksin në presionin e YPG/PKK-së të ushtruar ndaj njerëzve në rajon, rrëmbimit të fëmijëve nga rrugët apo shtëpitë e tyre, të futjes me forcë të personave në YPG/PKK dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, të cilat përfshihen në raport.

Në lidhje me pyetjen për marrëdhëniet e qeverisë me YPG/PKK-në, Blok tha: “Qeveria e Holandës kohë pas kohe është në kontakt me përfaqësuesin e PYD/YPG-së në nivel të ulët diplomatik. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dy herë janë realizuar takime në nivel të ulët diplomatik. Po ashtu diplomatët ndonjëherë kontaktojnë me FDS-në në rajon”.