Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu bëri të ditur se marrëveshja e Idlibit e arritur me Rusinë është shans i fundit për zgjidhje politike të krizës në Siri, ndërsa shtoi se “Nuk duhet ta humbasim këtë shans”.
I ndodhur në Nju-Jork për punimet e sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri Çavusoglu pati një takim me homologët e tij nga Rusia, Sergey Lavrov dhe Irani, Xhevad Zarif, pas të cilës u prononcua në interes të gazetarëve.
Çavusoglu tha se qëllimi i këtij takimi tresh i dakorduar më parë, ishte zbatimi i marrëveshjes së Idlibit të arritur mes presidentëve Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin në Soçi të Rusisë më 17 shtator.
“Kjo është një marrëveshje e përkrahur dhe e përvetësuar nga tre vendet (Turqi, Rusi, Iran). Marrëveshja e Idlibit në të vërtetë është shans i fundit për gjetjen e zgjidhjes politike krizës në Siri dhe nuk duhet ta humbasim atë. Duke përfituar nga kjo situatë ne duhet ta përshpejtojmë procesin politik duke i bashkuar regjimin dhe opozitarët”, bëri të ditur Çavusoglu.
“Tani hapi më i rëndësishëm që mund të hidhet konkretisht është formimi i Komisionit Kushtetues në Siri”, bëri të ditur Çavusoglu për të shtuar se tre vendet do të punojnë në këtë drejtim.
“Tani kriza e Sirisë me anë të një procesi politik duhet të kthehet në paqe dhe stabilitet”, deklaroi Çavusoglu./TRT