Donad Trump paralajmëron regjimin e Esadit për armët kimike

Presidenti amerikan, Donald Trump mbajti një fjalim në sesionin e 73-të në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se ShBA-të do të veprojnë në rast se regjimi sirian i Beshar Esadit përdor armë kimike.

Presidenti Trump fjalimin e tij në sesionin e 73-të në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), e filloi duke thënë se, “Qeveria jonë në një kohë të shkurtër në më pak se dy vite ka arritur sukses pothuajse më shumë se çdo qeveri në historinë e vendit”.

Kjo deklaratë e presidentit Trump shkaktoi të qeshura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa ai duke buzëqeshur është shprehur “Nuk e prisja këtë reagim, por nuk ka problem”.

Pasi vlerësoi edhe bisedimet bërthamore të zhvilluara mes ShBA-ve dhe Koresë së Veriut, Trump tha se, “Dëshiroj të shpreh falënderimet për guximin dhe hapat që ka hedhur lideri i Koresë së Veriut Kim”.

Ndër të tjera, Trump ka shtuar se sanksionet ndaj Koresë së Veriut do të vazhdojnë deri në çarmatimin e plotë nga armët bërthamore.

Duke e cilësuar situatën në Siri si një tragjedi, Trump ka paralajmëruar regjimin e Esadit për armët kimike.

Trump vuri theksin se ShBA-ja do të veprojë në rast se regjimi i Esadit përdor armët kimike.

Ndër të tjera Donald Trump e mbajti përgjegjës Iranin për gjakderdhjen në Siri dhe Jemen.

Ndërkaq për sanksionet ekonomike që zbatohen ndaj Iranit, Presidenti Trump tha se “Sanksionet ndaj programit bërthamor të Iranit, të cilat ishin pezulluar në kuadër të marrëveshjes, kanë hyrë në fuqi sërish dhe ato do të vazhdojnë më 5 nëntor duke u shtuar edhe më shumë. Jemi duke zhvilluar bisedime me vendet që importojnë naftën e papërpunuar nga Irani që ta ndalojnë importin”.

Duke mbrojtur qëndrimin se Irani kërcënon botën me armët më të rrezikshme, Trump tha se nuk do të lejojnë një regjim i cili hedh slogane “Vdekje Amerikës” dhe kërcënon me zhdukjen e Izraelit.

Ai gjithashtu pretendoi se transferimi i ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem synon vendosjen e stabilitetit dhe paqes në rajon.

Presidenti amerikan vuri në dukje se ShBA-ja është prodhuesi më i madh në botë i energjisë, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Ne jemi të gatshëm për eksportin e naftës, qymyrit dhe gazit natyror me çmim të arsyeshëm. Vendet anëtare të OPEC-ut përpiqen ti mashtrojnë vendet tjera ashtu si çdoherë dhe unë nuk e dua këtë”.

Trump kritikoi OPEC-un për çmime të larta të naftës ndërsa tha se “Ne nuk mund të heshtim ndaj rritjes së tmerrshme të këtyre çmimeve”.

Ai shtoi se vendi i tij nuk do të kthehet në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut për deri sa ky këshill të mos i përmbushë kërkesat e ShBA-së për reforma, ndërsa tha se “Nuk do të mbështesim as Gjykatën Penale Ndërkombëtare për arsye të njëjta. ShBA-ja nuk beson në drejtësinë, legjitimitetin dhe autoritetin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare”.

Trump tha se vendi i tij në bashkëpunim me partnerët në Amerikën Latine punon për të parandaluar migrimin e parregullt, ndërsa shtoi se Venezuela duke qenë njëra prej vendeve më të pasura të Amerikës Latine, ajo po shkon drejt falimentimit me regjimin socialist.

“Vendeve të mbledhura këtu u bëjë thirrje që të na bashkëngjiten për rivendosjen e demokracisë në Venezuelë”, shtoi Trump.

Ndërkaq në lidhje me ndihmat e vendit të tij presidenti i ShBA-së tha se tash e tutje vendi i tij do të mbajë një qëndrim më të ashpër, ndërsa tha se “Në të ardhmen do të shikojmë se a i marrin parasysh interesat tona vendet, të cilat marrin mbrojtjen dhe dollarin tonë. Ne do ti ndihmojnë vetëm ato vende të cilat na respektojnë dhe miqtë tanë”./TRT