Derbi që ndan dhe bashkon një vend

Derbi që bën gjithë vendin të mbajë frymën dhe që pushton titujt e gazetave, por për arsyet më të gabuara.

Derbi që bën gjithë vendin të mbajë frymën dhe që pushton titujt e gazetave, por për arsyet më të gabuara, raporton Top Channel.

Partizani i Beogradit priti Yllin e Kuq, në një prej rivaliteteve më të hidhura futbollistike të gjithë Europës.

BBC Sports vëzhgon Derbin e Përhershëm, me menaxherin e Fulhamit, Slavisa Jokanovic, një ish lojtar, menaxher dhe tifoz i Partizanit të Beogradit, dhe me mbrojtësin e Yllit të Kuq, Milos Degenek, dhe Darko Nikolic, gazetar për serben Blic.

Ndeshja që dominon në të gjithë Serbinë.

Ylli i Kuq e fitoi derbin më të fundit këtë prill, në një ndeshje që mbeti pezull për disa minuta teksa tifozët goditën njëri-tjetrin me ndenjëse. Ylli i Kuq vazhdoi dhe fitoi titullin.

Stadiumet e Yllit të Kuq dhe Partizanit janë vetëm 12 minuta në këmbë në periferinë “Autokomanda” të Beogradit, por kjo lojë është më shumë se Derbi. Është rivaliteti që përçan dhe bashkon të gjithë vendin.

“Kur vjen puna te rivaliteti i Beogradit, Serbia ka dy qëndrime”, thotë Nikolic për BBC Sport. “JE ose tifoz me Yllin e Kuq, ose me Partizanin. 50% ndoshta janë me Yllin e Kuq, 45% ndoshta me Partizanin. Ata që nuk mbështesin asnjërin apo që janë me klube të tjera mund të jenë 5%”.

Jokanovic është rritur në Novi Grad, 100 km larg Beogradit, por ka qenë tifoz i Partizanit. Gjatë tre viteve që ka luajtur për klubin, ka fituar dy kampionate rresht, atë të vitit 1992 dhe 1993. Më pas e menaxhoi klubin për dy kampionate të tjera, 2007-08 dhe 2008-2009.

“Për këtë ndeshje flet i gjithë vendi, jo vetëm qyteti”, tha ai për BBC Euro Leagues Football Show. “Është derbi midis dy ekipeve më të famshme në Serbi, dhe për dy ekipet më të famshme në gjithë Jugosllavinë e dikurshme. Është një ditë e veçantë për tifozët e secilit ekip. Njerëzit e diskutojnë ndeshje disa ditë para se të zhvillohet.

“Ylli i Kuq është ekipi më i famshëm. 55% ose 60% janë me ata. Unë jam me Partizanin. Jam shumë i lumtur me zgjedhjen time. I kam mbrojtur ngjyrat e tyre me krenari, në të mirë e në të keq”.

Nikoliç, që jeton në Beograd, thotë: “S’është çudi që dhurata e parë që i bëhet një bebeje të jetë diçka me logon e Partizanit apo Yllit të Kuq”.

Rivaliteti shkon përtej futbollit. Të dy klubet kanë ekipe në sporte të ndryshme, diçka e zakonshme në Europën kontinentale.

“Ndezim fishekzjarrë edhe kur ka ndeshje basketbolli. Ndonjëherë edhe në hendboll apo volejboll. Të dyja kanë ekipe në 20 sporte të ndryshme. Kështu që mundësitë për derbi janë 20 herë më të larta”, thotë Nikolic.

A është aq e dhunshme sa dikur?

Derbi i Beogradit ka një lidhje të gjatë me dhunën. Sidomos në vitin 1999, kur një tifoz adoleshent i Yllit të Kuq vdiq nga një objekt i hedhur nga tifozët e Partizanit.

Në vitin 2013 u arrestuan 103 veta përpara, gjatë dhe pas përplasjeve. Në një derbi tjetër po në të njëjtin vit, tifozët i vunë zjarrin ndenjëseve gjatë ndeshjes.

Një derbi në vitin 2015 u vonua për 45 minuta, pasi tifozët nisën të hedhin flakadanë dhe të përleshen me policinë. Kur loja më në fund nisi, tifozët hodhën shashka rrotull fushës.

Jokanovic thotë: “Është e vështirë. Ndonjëherë ndeshjet marrin për ters. Për njerëzit jashtë vendit mund të duket interesante, por ne jemi lodhur me këtë situatë”.

“Është ende një nga derbit më të mëdha në të gjithë botën. Ne duam më shumë cilësi dhe futboll më të mirë, pak më shumë qetësi mes turmës dhe pa dhunë”.

Pavarësisht këtyre, gazetari Nikolic thotë se sot gjërat janë më të qeta se dikur.

“Dhuna nuk është më si në vitet 1990, kryesisht sepse policia është më e gatshme dhe tani ka ligje më të ashpra kundër shkelësve”.

“Por ka ende rrezik që të ndodhin përlasje, pasi njerëzit vijnë nga çdo vend. Jo vetëm nga Serbia, por nga vende të tjera të Ballkanit dhe të Europës. Tifozët e Yllit të Kuq kanë lidhje të forta me “vëllezërit” nga Spartaku i Moskës dhe Olimpiakos.

20 nga tifozët e arrestuar në vitin 2013 ishin nga Bosnja, katër nga Rusia dhe një nga Greqia.

“Në stadium nuk ka më përplasje mes rivalëve, sepse janë vendosur gardhe të forta dhe numër i lartë policësh e rojash. Por dhuna mund të vijë nga djegiet. Ndonjëherë është e frikshme. E kuptoj se pse prindërit nuk i marrin fëmijët në ndeshje të tilla”, tha Nikolic.

“Rivaliteti mes tifozëve është aq i madh se s’kanë nevojë për një derbi që të përplasen. Shumë tifozë të zakonshëm, që ndjekin ndeshjet normalisht, refuzojnë të shkojnë te ndeshjet e Yllit të Kuq dhe Partizanit për shkak të dhunës.”

Problemi duket se është në formë cikli, teksa Jokanovic thotë se derbi ka pasur më pak dhunë gjatë komunizmit. Por shton: “Nuk e di pse. Nuk e shpjegoj dot.”

“Tani ka më pak tifozë se kur luaja unë. Unë luaja me 55,000 deri në 100,000 tifozë në një stadium, por tani ka më pak, për shkak të rregullave të UEFAs.

“Kam parë shumë ndeshje nga tribuna e ultrasve. Ka qenë më qetë se tani, pa dhunë.”