Zoran Zaev do të zhvillojë vizitë në SHBA

"Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev do të udhëtojë në Washington ku më 20 shtator do të ketë takime bilaterale me zv/presidentin amerikan Mike Pence"

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, me ftesë të zv/presidentit të SHBA-ve do të zhvillojë vizitë në Washington, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim të Qeverisë thuhet se “kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev udhëton në Washington ku më 20 shtator do të ketë takime bilaterale me zv/presidentin e SHBA-ve, Mike Pence”.

Më tej thuhet se takimi do të realizohet me ftesë të zv/presidentit Pence, ndërsa në të do të bisedohet për avancimin e Republikës së Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO.

Gjatë ditëve të fundit, në prag të referendumit, Maqedonia është vizituar nga shumë zyrtarë të lartë të shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s, si kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Sebastian Kurz, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis dhe shumë të tjerë.

Kujtojmë se më 17 qershor të këtij viti Qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë nënshkruan marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe për partneritet strategjik, sipas të cilit Republika e Maqedonisë do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Pjesë e marrëveshjes është mbajtja e referendumit në Maqedoni, i cili është caktuar më 30 shtator të këtij viti. Pyetja e referendumit është “A jeni për anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”.