Në “Bentegodi” të Veronës është bërë gjithçka gati për të pritur debutimin e Cristiano Ronaldos, që pritet të marrë vëmendjen e të gjithë botës pasditen e sotme në orën 18:30.
Mes tyre përmenden edhe masat antiterrorizëm, pasi një rast i tillë mund të nxisë edhe sulme të rënda, por autoritetet duket se kanë planifikuar gjithçka në detaje. E gjithë hapësira rreth e qark stadiumit është zbrazur, ndërsa tifozët që kanë një biletë për të parë shfaqjen, do të duhet të kalojnë disa kordonë policie, nën kontrolle mjaft të rrepta./raporton Top Channel
Situata nuk është aspak më e qetë as në Romë, ku në mbrëmje Lazio do të presë Napolin në stadiumin “Olimpico”. Kryeqyteti italian është blinduar nga forcat e policisë, që kanë marrë masa të jashtëzakonshme për të shmangur përplasjet mes dy tifozërive.
Kujtojmë që edhe sezonin e kaluar ,tifozët napolitanë u bënë protagonistë në Romë, duke shkaktuar shumë trazira dhe zënka, që u pasuan me akte dhune dhe vandale ndaj pronës publike.