Nga fillimi i sezonit të verës, turizmi shqiptar ka lëvizur me hapa shumë më të shpejtë. Kështu, në Shkodër shumë turist nga anë e kënd botës kanë ardhur për të vizituar qytetin dhe për t’u njohur me historinë e tij. Vitet e fundit, forma më e pëlqyer e kësaj njohjeje është nëpërmjet fotografisë.
Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, i vendosur në qendër të Shkodrës është kthyer në atraksionin kryesor për turistët e huaj dhe vendas. Nëpërmjet fotografive, ata shohin se Shqipëria nuk ishte vërtetë aq e prapambetur sa thuhet dhe se në të ekzistonte një kulturë e dëshmuar prej asaj fotografike.
Në ndarje të ndryshme të muzeut ka vajtime çka tregon një kulturë gjamash me baza pagane; ka dasma çka tregon një kulturë dasmash; ka pagëzime, meshë dhe falje të namazit.
Gjithashtu ka edhe familje të fisshme, fisshmëria dhe aristokracia e të cilëve shfaqet në gjithë aparencën, duke nisur me veshjen, mënyrën e rregullimit të flokëve apo të kapeles e duke përfunduar me mënyrën se si i qëndrojnë, plot elegancë.
Edhe fotografitë e objekteve të dikurshme dëshmojnë për një arkitekturë unike të qytetit të Shkodrës, me ndikime të forta nga ajo italiane dhe austro-hungareze.
Specialistja e Muzeut Kombëtar “Marubi”, Tea Cuni për mikrofonin “Zëri i Turqisë” tha:
“…Marubi që nga viti 2016 që është hapur, pikërisht në periudhën e sezonit turistik, pra në maj të 2016 ka pasur një numër të konsiderueshëm vizitorësh, kryesisht vizitorë të huaj. Duke parë statistikat e vizitorëve në vite të ndryshme në këtë godinë të re, pjesa më e madhe e vizitorëve në vitet e kaluara kanë qenë vizitorë të huaj, por edhe vizitorë vendas edhe pse me një përqindje të vogël diferencë, 2 % më shumë janë vizitorë të huaj që vijnë kryesisht nga vende të Evropës perëndimore. Menjëherë pas vizitorëve shqiptarë, kemi vizitorë italian, francez, gjerman, ndërsa periudhën e fundit po shohim shumë vizitorë belgë, holandez dhe anglez…”.
Ndërkaq, Cuni ndër të tjera përmendi se janë moshat kryesisht të reja dhe të moshave të mesme që vizitojnë këtë muze mjaft me vlera për Shqipërinë, por jo vetëm, sikundër ajo citoi edhe projektet që ofron kjo qendër e rëndësishme kulturore.
“…Vizitori i Muzeut “Marubi” ka targete të grupeve të ndryshme, por ka një moshë mesatare që shkon nga 35-45 që bëjnë edhe numrin më të madh të vizitorëve që ne kemi ne muze. Ne, aktualisht jemi të angazhuar me disa projekte edukative që i drejtohen kryesisht shkollave, duke filluar që nga parashkolloret deri tek cikli i mesëm. Ndërkohë, do të fillojmë edhe angazhimin me universitet, sepse kjo është mënyra më e mirë që ato përmes vizitave të njihen dhe të vizitojnë muzeun. Gjithashtu të jenë ato që të ftojnë të tjerët, miqtë e tyre, familjarët, pse jo edhe prindërit e tyre dhe të vijnë bashkë e të vizitojnë Muzeun “Marubi”….”
Vlen të përmendet se të huajt, në këtë muze, me anë të fotove që mbushin muret e tij njihen shumë mirë me gjithçka duan të dinë e të njohin për Shkodrën dhe Shqipërinë.