Restaurohet Xhamia e Pazarit në Gjirokastër

 Në Xhaminë e Pazarit, të ngritur në qendër të qytetit të Gjirokastrës, ka filluar puna për restaurimin me fonde nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA.

Në Xhaminë e Pazarit, të ngritur në qendër të qytetit të Gjirokastrës, ka filluar puna për restaurimin me fonde nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA.

Xhamia e Pazarit, e quajtur ndryshe nga Evlia Çelebiu, diplomat dhe kronikan i perandorisë otomane si xhamia e Memi Beut, pas dekadash lënie në rrënim do të nxjerrë në dritë vlerat e saj kulturore e artistike duke u kthyer në referencë kyçe të itinerarit turistik në qytetin e gurtë.

Evlia Çelebiu vizitoi Gjirokastrën më 1672. Të kësaj periudhe e përmend Çelebiu, Xhaminë e Pazarit.

Arkitektura e Xhamisë së Pazarit është e harmonizuar si nga ana arkitekturore dhe nga volumi me dyqanet e Qafës së Pazarit.

Kjo ndërtesë datohet nga mbishkrimi ndërtimor në vitin 1754-55 (1168 h).  Në vitin 1967, ajo është mbyllur për adhurim nga regjimi i kohës dhe është përdorur si depo dhe fushë trajnimi për akrobatët. Pas rrëzimit të regjimit në vitin 1991, xhamia është rihapur sërish për adhurim.

Xhamia është në formë kubike, e ndërtuar mbi një kornizë tetëkëndore. Çatia e kupolës kryesore është e mbuluar me gurë. Në anën e djathtë gjendet një tyrbe me çati tetëkëndore e mbuluar me gurë. Gjatë ndërtimit janë përdorur gurë gëlqeror të punuar me ngjyrë të bardhë dhe hiri. Arkitektura e kësaj xhamie përshtatet me arkitekturën e dyqaneve të çarshisë.

Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja, veç nënstrukturave që përmendëm. Salla e lutjeve është katrore në plan, me përmasa të brendësisë 8,85 x 8,95 dhe mbulohet me kupolë mbi trompa në qoshet.

Qyteti muze i Gjirokastrës është përfshirë në mbrojtje të UNESCO-s për arkitekturën e stilit osman të banesave dhe urbanistikës. Gjirokastra bën pjesë në mesin e qyteteve të rralla në Ballkan, të cilët kanë ruajtur këtë veçanti arkitekturale osmane.