Siri, autokolona e parë e evakuimit nga Kunejtra mbërrin në Idlib

Të paktën 1.500 persona të cilët mbërritën në Hama me 40 autobusë janë dërguar në qendra të përkohshme banimi në Idlib

 Autokolona e parë e cila bart personat që janë detyruar të largohen nga rajoni në bazë të marrëveshjes së arritur në mes të opozitarëve ushtarakë në qytetin Kunejtra në jug të Sirisë dhe regjimit të Bashar al Asadit, ka mbërritur në qytetin Idlib, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në Idlib, autokolona që bartte personat që u detyruan të evakuohen nga qyteti Kunejtra në jug të Sirisë në kufi me Izraelin, e cila është nisur dje, sot pas qytetit Hama në orët e mëngjesit ka arritur në Idlib.

Të paktën 1.500 persona të cilët mbërritën në Hama me 40 autobusë janë dërguar në qendra të përkohshme banimi në Idlib.

Pritet vazhdimi i evakuimeve nga Kunejtra.

Procesi i evakuimeve në jug

Pas nisjes së operacionit ushtarak të regjimit dhe përkrahësve të tij me mbështetjen ajrore të Rusisë ndaj Deras më 20 qershor, më 6 korrik Rusia dhe opozitarët ushtarakë arritën marrëveshje për armëpushim të përhershëm në Dera.

Ndërsa më 15 korrik autokolona e parë e evakuimit prej 700 personash e cila bartte civilët dhe ushtarët opozitarë nga Dera ishte nisur në Idlib.

Regjimi dhe përkrahësit pas marrjes nën kontroll të një pjese të madhe të Deras, në fillim të javës i janë drejtuar kufirit me Izraelin.

Opozitarët ushtarakë në Kunejtra pas sulmeve intensive të forcave të regjimit ndaj vendbanimeve civile në rajon, dje ishin detyruar që të pranojnë marrëveshjen për armëpushim dhe evakuim.

Në marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e Rusisë, parashihej që opozitarët t’ia dorëzojnë Kunejtrën regjimit dhe se do të kalojnë në Idlib duke i lënë edhe armët e rënda.

Qytetet Idlib dhe Kunejtra, në jugperëndim të Sirisë janë shpallur “zonë e deeskalimit” në bisedimet e mbajtura në Astana më 4 dhe 5 maj. Dy muaj më vonë Rusia, SHBA-të dhe Jordania rajonin Dera dhe Kunejtra i përfshinë në kuadër të një marrëveshjeje të veçantë. Ndërsa më pas edhe SHBA-të ndërprenë ndihmat për opozitarët në rajon, të cilët i mbështeste.