DASH i prerë: Nisni Asociacionin! Marrëveshja mirë, por tani fillon puna e vështirë

Edhe pse e përshëndeti si një “hap të mirë përpara” raundin e dialogut të zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të hënën, kur palët u pajtuan për propozimin europian për normalizimin e raporteve, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se puna e vështirë nis tani, dhe kërkesën e parë e pati për Kosovën.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës, tha zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një shtet sovran, multietnik dhe të pavarur të integruar në strukturat euroatlantike”, nënvizohej në deklaratën e tij.

Shtetet e Bashkuara dhe blloku europian vazhdimisht i kanë bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të pranojë Asociacionin, për të cilin dy vendet kanë arritur marrëveshje në 2013 dhe 2015 dhe që tani, po shihet si pika kryesore që pengon vulosjen e një ujdie finale të normalizimit të marrëdhënieve dy palësh.

Kurti megjithatë e ka bërë të qartë kundërshtinë e tij ndaj një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive, e në muajin shkurt paraqiti edhe disa kushte për themelimin e bashkësisë së komunave serbe, përfshirë dhe atë që të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe t’i ndryshohet emri, ndërsa vazhdimisht ka insistuar se duhet shmangur rreziku i krijimit të një lloj shteti brenda shtetit, siç ndodhi me Republikën Serbe në Bosnjë.