Reshjet e shiut të orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa qarqe të vendit.
Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente njofton se një mjet i kalueshmërisë së lartë dhe efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në ndihmë të banorëve në njësinë Ana e Malit, fshati Obot në Shkodër.
Si pasojë e reshjeve të shumta, orët e fundit aksi kryesor i kësaj rruge është bllokuar, duke e bërë të pakalueshëm nga mjetet e vogla. Ndërkohë vijon tërheqja e ujit në disa sipërfaqe toke në Bërdicë, Guri i Zi e Velipojë.
Punonjës të ARRSH janë duke punuar për pastrimin e dherave në akset Theth-Breglumi, Darragjat-Shirq, njësia administrative Dajç si dhe në rrugën e Lumit të Vlorës, në vendin e quajtur ” Qafa e Pëllumbit”.
Tërheqje të ujit ka pasur edhe nga sipërfaqet në qarkun e Lezhës, në njësinë Balldren, ish-këneta e Torovicës, në zonën e Laçit, ish kënetën e Gjonëmit.
Në të gjtha qarqet e tjera të vendit situata paraqitet normale.
“Në fshatin Kishavec, bashkia Dibër, janë evakuuar disa bagëti për shkak të depërtimit të ujit nga përroi i fshatit, ndërsa po punohet për riparimin e dëmtimeve në urën e Çikut.
Në fshatrat Toplane-Serme, njësia administrative Temal dhe në zonën e Vermoshit, punonjësit e OSHEE ndodhen në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në këto zona”, thuhet në njoftim.