Ministria e Jashtme bullgare ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha ditën e djeshme në Bruksel, se Bullgaria po mban peng Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në lidhje me mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Përmes një njoftimi, ministria shprehet se Bullgaria ka mbështetur identitetin evropian të Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt integrimit dhe e konsideron fyese deklaratën e Ramës, për të cilën thotë se është e përsëritur.
Sipas ministrisë, gjuha e përdorur nga kreu i qeverisë shqiptare, nuk mund të justifikohet, teksa shton se Rama duhet të flasë si një politikan i një vendi kandidat për në BE.
Ndër të tjera, në njoftim thuhet se është e papranueshme që marrëdhëniet mes vendeve të mbahen peng i ekscentricitetit të kryeministrit aktual shqiptar.

Ndërkohë, nuk ka vonuar edhe reagimi i Ramës, i cili ka ironizuar deklaratën e ministrisë bullgare, duke theksuar se e sheh si problem mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet bilaterale.
“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka një problem me mënyrën time të të folurit! Mjaft e drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën sesi Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet biletarale duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për rrëmbimin e dy vendeve të NATO-s! Miq: Hiqni VETO-n ose jini të durueshëm me mua!”, shkruan Rama në Twitter.