Mali i Zi voton sot sharkimin e kryetarit të Kuvendit

Kuvendi i Malit të Zi pritet të vendosë sot për shkarkimin e kryetarit, Aleksa Beçiç, tre ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së vendit.

Beçiç është udhëheqës i Demokratëve, dhe deputetët e kësaj partie kanë qenë kundër rrëzimit të Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Nismën për këtë shkarkim e kanë nënshkruar 38 deputetë të opozitës nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit aktual Millo Gjukanoviç, si dhe të dy partive të socialdemokratëve, Partisë Boshnjake dhe Koalicionit Shqiptar – Njëzëri

Parlamenti i Malit të Zi, Foto: KosovaPress

Në kërkesën e opozitës është thënë se për shkak të mungesës së dialogut esencial, Kuvendi nuk ka çuar para axhendën e rrugës evropiane të Malit të Zi, sepse kryetari i Kuvendit “funksionin e tij e ka kryer në interes të promovimit partiak dhe personal dhe jo në interes të shtetit”.

Që të largohet Beçiç, opozita ka nevojë për mbështetjen e Lëvizjes Qytetare URA të Dritan Abazoviçit.

Pjesa tjetër e shumicës parlamentare, 37 deputetë nga Fronti Demokratik dhe disa parti më të vogla nga ajo aleancë kanë deklaruar se nuk do të votojnë për largimin e kreut të Kuvendit.