Vetëvritet një grua shqiptare në Itali, iu mohua shtetësia e premtuar

Një grua 47 vjeçare shqiptare, dikur e trafikuar për prostitucion është vetëvrarë në Itali pasi nuk mundi të merrte statusin e refugjatit.

Gruaja e lindur në Durrës në vitin 1974 raportoi për trafikantët e saj në vitin 1996 kur ishte në moshën 22-vjeçare, duke ndihmuar policinë të shkatërrojë një rrjet kriminal. Dyzet persona u arrestuan dhe 80 të tjerë u proceduan falë dëshmisë së saj. Mediat italiane tregojnë se këta persona ishin pjesëtarë të mafias shqiptare.

“Nëse kthehem në Shqipëri jam grua e vdekur. Kam frikë se do vritem nga personat që i kam futur në burg”, kishte thënë ajo në një televizion italian.

Mediat italiane bëjnë të ditur se ajo i vuri flakën vetes para Ministrisë së Brendshme më 28 tetor në Romë. Ajo duhej të kthehej në Pavia ku jetonte, me kërkesë të autoriteteve këtë javë, por të shtunën e kaluar (6 nëntor) vrau veten duke u hedhur nga një urë hekurudhore.

Lajmi për këtë vetëvrasje u raportua gjerësisht në media italiane të cilët ndër të tjera shkruajnë se ndonëse iu premtua nënshtetësia, ajo mbeti pa zgjidhje.