Edhe njëherë zhgënjen Anglia. Belgjika fiton për herë të dytë kundër “Tre Luanëve” pas rezultatit 1-0 që u regjistrua në fazën e grupeve. Sot me gola të Meunier dhe Hazard skuadra e Roberto Martinez arriti që të fitonte 2-0 dhe të pozicionohej në vendin e tretë në këtë Botëror, duke marrë një vend nderi për garën e mirë që bëri deri në gjysmëfinale, atje ku u eliminua nga Franca me rezultatin 2-0.
Një arritje historike për skuadrën e Roberto Martinez që theu rekordin e Belgjikës së vitit 1986 që e mbylli Botërorin meksikan në vendin e 4-ët. Belgjika shfaqi shumë më tepër dëshirë se Anglia duke zhbllokuar shifrat që në rastin e parë që iu krijua pas një aksioni model të finalizuar nga Munier. Në minutën e 82-të kapiteni Hazard dyfishoi shifrat, duke vulosur suksesin e Djajëve të Kuq, i dyti ndaj Anglisë në Botërorin rus, pas atij në fazën e grupeve me golin e Adnan Januzajt. Anglia dhe në veçanti, kapiteni Harry Kane bënë shumë pak në këtë sfidë për të mos thënë aspak, me Belgjikën që e dominoi takimin dhe e meritoi plotësisht vendin e 3-të në këtë Kupë Bote.