Lideri serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid në një qeli në Mbretërinë e Bashkuar, konfirmoi qeveria britanike gjatë së mërkurës.
75-vjeçari u dënua me 40 vite burg në 2016 për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës nga forcat serbe nga 1992 në 1996.
Pas luftës, Karaxhiç u arratis dhe u kap më pas në 2008 dhe u dorëzua tek gjykata për krime lufte në Hagë. Në 2019, ai u dënua me burgim të përjetshëm.
“Karaxhiç është ndër të paktët njerëz që janë shpalliur fajtor për gjenocid”, tha sekretari i punëve të jashtme Dominic Raab.
“Ai është përgjegjës për masakrën e burrave, grave dhe fëmijëve në gjenocidin e Srebrenicës si dhe në rrethimin e Sarajavës me sulmet e pamëshirshme ndaj civilëve”.
“Ne duhet të krenohemi me faktin se, nga mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për të siguruar arrestimin e dërgimi i tij në qeli, Britania ka mbështetur rrugën 30-vjeçare për drejtësi kundër këtyre krimeve makabre”.
Aktualisht, Karaxhiç po mbahej në Hagë dhe tashmë do të transferohet në një qeli në Britani.
Konflikti në Bosnje ishte ndër më të përgjakurit që prej Luftës së Dytë Botërorë ku humbën jetën mbi 100 mijë persona, ndërsa miliona të tjerë mbetën pastrehë.
Tribunali për Krime Lufte në Hagë ka dënuar një sërë personash të përfshirë në konfliktet e ndodhura në Ballkan më 1990, ndërsa të dënuarit janë dërguar në shtete të ndryshme europiane për të vuajtur dënimin.