Kosovë, fushatë për vetëdijesim të dëmit nga përdorimi i plastikës

Drejtori i shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi tha se fushata ka për qëllim kryesor vetëdijesimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit por edhe ndikimin ekonomik tek qytetarët

Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës “Handikos” dhe iniciativa “The Balkan Forum” kanë nisur fushatën “Thuaj Jo Qeseve të Plastikës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në sheshin “Skënderbeu” dhe “Nëna Terezë” në Prishtinë pjesëtarë të këtyre organizatave përmes një aktiviteti simbolik kanë prezantuar strajcat e ripërdorshme të punuara nga personat me aftësi të kufizuara.

Drejtori i shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi tha se fushata ka për qëllim kryesor vetëdijesimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit por edhe ndikimin ekonomik tek qytetarët por dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara të cilët i kanë punuar strajcat.

“Në Kosovë diku rreth 5 milionë euro bizneset i shpenzojnë vetëm në qese të plastikës dhe prej tyre shumë pak riciklohen apo dekompozohen mos të flasim tani dhe në botë se çfarë ndodh tek gjallesat. Por, ne po mundohemi që të zhvillojmë këtë fushatë me qëllimin kryesor vetëdijesimin e popullatës”, tha Maliqi.

Maliqi tha se presin përkrahje për ta nga institucionet e reja, por siç ai u shpreh “jo ndonjë mrekulli”.

“Personat me aftësi të kufizuara janë gjithkund, dëshirojmë të shihemi dhe të jemi gjithkund dhe dëshirojmë të jemi edhe pjesë e proceseve pozitive e jo gjithmonë vetëm të kërkojmë gjithçka, lëmoshë jo se jo”, theksoi ai.

Nga regjistrimi i fundit i popullsisë i vitit 2011 në Kosovë janë rreth 73 mijë persona me aftësi të kufizuara të regjistruar, ndërsa vlerësohet se mund të jenë deri në 15 për qind e popullsisë të prekur nga kufizime të ndryshme.

Rreth 25 mijë persona të kategorive të tilla përfitojnë nga skemat sociale të Qeverisë së Kosovës ndërsa pos kësaj, sipas drejtorit të “Handikos” nuk kanë marrin asnjë shërbim tjetër nga institucionet vendore.