Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut mbahet ceremoni për dëshmorët e Çanakkalasë

Në Kosovë  dhe Maqedoninë e Veriut u mbajt ceremoni përkujtimore me rastin e 106-vjetorit të Fitores Detare të Çanakkalasë..

Në Kosovë  dhe Maqedoninë e Veriut u mbajt ceremoni përkujtimore me rastin e 106-vjetorit të Fitores Detare të Çanakkalasë.

Ceremonia u mbajt në shkollën fillore “Anadolu” të komunës së vetme turke në Kosovë, Mamushë, ndërsa morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KTDP) dhe deputeti Fikrim Damka, ministri i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan, deputetja Fidan Jilta, kryetari i komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç, kryetari i KFOR-it turk, koloneli Savaş Yanar, si dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe qytetarë tjerë.

Duke folur për kuptimin dhe rëndësinë e ditës në ceremoni, e cila filloi me një minutë heshtjeje dhe me intonimin e himneve kombëtare të dy vendeve, ambasadori Sakar tha se fitorja e Çanakkalasë përbën bazën e frymës së luftës kombëtare që rrit fuqinë për të qëndruar kundër të gjitha vështirësive me të cilat përballet kombi turk edhe sot e kësaj dite.

Duke iu referuar rëndësisë së lidhjeve të forta historike në forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Turqisë, Sakar më tej tha: “Nga këto toka ku jemi sot mijëra vëllezër turq, shqiptarë dhe boshnjakë iu përgjigjën thirrjes së Stambollit dhe Anadollit, ku luftuan heroikisht përkrah ushtarëve tanë në Çanakkala dhe shumë nga vëllezërit tanë kosovarë u martirizuan. Për këtë arsye, kjo ka një kuptim të posaçëm dhe të veçantë për të përkujtuar epopenë e shkruar nga paraardhësit tanë në Çanakkala me ju në komunën e vetme turke të Kosovës, në Mamushë “.

Ndërkaq, Damka deklaroi se vendosmëria e kombit turk gjatë luftës në Çanakkala duhet të merret si shembull sot.

“Është një epope heroike që i tregon gjithë botës se çfarë mund të bëjë kombi ynë për hir të atdheut, flamurit dhe pavarësisë. Fitorja në Çanakkala nuk është një rastësi, sepse fitorja u fitua përmes luftës, inteligjencës, sakrificës, besimit dhe vendosmërisë”, deklaroi kreu i KTDP-së.

Koloneli Yanar, duke përkujtuar bashkëkombësit kosovarë që ranë dëshmorë në Çanakkala, tha se përkulet me respekt para kujtimeve të shenjta.

Ceremonia, e cila vazhdoi me këndimin e këngëve popullore kushtuar Çanakkalasë nga nxënësit e shkollës fillore ”Anadolu”, përfundoi me vendosjen e kurorës në monumentin e dëshmorëve të Çanakkalasë në Mamushë.

Maqedoni e Veriut, shënohet 106-vjetori i Fitores së Çanakkalasë

Në ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup, u mbajt ceremoni me rastin e 18 Marsit, Fitores së Çanakkalasë dhe Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë me rastin e Fitores së Çanakkalasë dhe Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve, morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, atasheu ushtarak i ambasadës turke në Shkup, kolonel Serkan Çakir, zëvendës-këshilltari për shërbime fetare në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Maqedoni, Mustafa Tarik Koca, përfaqësues të partive politike në vend, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe mysafirë tjerë.

Në ceremoninë, që filloi me një minutë heshtje dhe intonimin e himnit turk, ambasadori i Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök tha se çdo dëshmor në histori ka një rrëfim të vet të ndryshëm, por pika e përbashkët e këtyre rrrëfimeve është dashuria ndaj atdheut.

Ambasadori Sekizkök në adresimin e tij në ceremoni theksoi se me falënderim përkujton paraardhësit dhe dëshmorët në këto hapësira, të cilët pranuan Maqedoninë (e Veriut) si atdhe dhe për shekuj me radhë vendosën kulturën e të jetuarit së bashku.

“Që nga pavarësia e saj, turqit e Maqedonisë (së Veriut) kanë vazhduar të bëjnë përpjekje të mëdha për një të ardhme më të mirë për Maqedoninë (e Veriut) në çdo fushë dhe për të rritur nivelin e prosperitetit. I përshëndes me respekt”, tha ambasadori Sekizkök.

Turqia, siç theksoi ambasadori Sekizkök, me të gjitha institucionet dhe organizatat e saj do të qëndrojë dhe do të vazhdojë të qëndrojë prapa turqve të Maqedonisë (së Veriut), prapa vëllezërve në këto hapësira që janë amanet i paraardhësve dhe dëshmorëve tanë.

Ambasadori po ashtu shtoi se ne gjithmonë duhet të kujtojmë se Maqedonia (e Veriut) ka një pozitë të jashtëzakonshme në historinë tonë.

Atasheu ushtarak i Ambasadës turke në Shkup, kolonel Serkan Çakir, në fjalimin e tij me rastin e përvjetorit të Fitores së Çanakkalasë tha se sot shënohet 106-vjetori i Fitores së Çanakkalasë dhe Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve.

“Fitorja në Çanakkala ishte pikë kthese në historinë botërore, ndërsa kombi turk luante një rol vendimtar nëpër këtë histori. Duhet të dihet se kjo fitore nuk ishte lehtë e arritshme ndërsa vazhdimi i pranisë së kombit turk në Anadoll ishte i mundshëm me fitoren në këtë luftë”, tha koloneli Çakir.

Në fund të ceremonisë me rastin e 18 Marsit, Fitores së Çanakkalasë dhe Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve, zëvendës-këshilltari për shërbime fetare në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Maqedoni, Mustafa Tarik Koca lexoi lutje për dëshmorët në betejën e Çanakkalasë.

Pas përfundimit të ceremonisë në Xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, Zyra e Këshillimit për Çështjet Fetare në Ambasadën turke në Shkup në bashkëpunim me Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI) organizuan recitim të Kuranit dhe lutje me rastin e 18 Marsit – Fitores së Çanakkalasë dhe Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve.

Lutje nga Kurani lexuan muezini i Xhamisë Mustafa Pasha, Furkan Jahja, hafiz Xhemail Nuhiu dhe zëvendës-këshilltari për shërbime fetare në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Maqedoni, Mustafa Tarik Koca.

Si përfaqësues i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI) mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm, Irsal Jakupi.Maqedoni e Veriut, shënohet 106-vjetori i Fitores së Çanakkalasë