Smartfonët Xiaomi të prodhuar në Turqi nga prilli do të jenë në treg

Sipas ministrit Varank, impiantet në Turqi duhet të prodhojnë rreth pesë milionë telefona Xiaomi në vit.

Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, deklaroi se telefonat e mençur Xiaomi të prodhuar në Turqi do të dalin në treg në prill, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë thuhet se ministri Varank vizitoi fabrikën e gjigantit kinez të teknologjisë Xiaomi në Stamboll.

“Telefonat e prodhuar në këtë fabrikë do të fillojnë të shiten në Turqi që nga muaji i ardhshëm”, theksoi ministri turk.

Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë deklaroi se vazhdon prodhimi testues i telefonave të mençur të kompanisë në fabrikën e prodhimit Xiaomi.

“Siç e dini, Xiaomi është një kompani globale e teknologjisë. Kjo është një kompani me qendër në Kinë, por e cila si markë po rritet në krye të botës dhe është një nga kompanitë më të forta globale. Gjithashtu, Xiaomi tani ka filluar të prodhojë telefonat e saj në Turqi”, tha Varank.

Ai theksoi se strategjia e ndërmarrjes është që zakonisht të organizojë prodhimin me partnerë, duke shtuar se ata po bashkëpunojnë me kompaninë Salcomp në Turqi.

Sipas ministrit Varank, impiantet në Turqi duhet të prodhojnë rreth pesë milionë telefona Xiaomi në vit.

“Jemi shumë të kënaqur që kompanitë globale të teknologjisë po investojnë në Turqi dhe që ata po tregojnë interes për Turqinë. Kur të fillojë prodhimi me kapacitet të plotë në fabrikën Xiaomi, rreth 2.000 qytetarë tanë do të punësohen këtu”, tha Varank.

Xiaomi aktualisht është një nga kompanitë më të njohura kineze, veçanërisht në fushën e prodhimit të telefonave të mençur.