Blloku Kombëtar “Unë nuk e hap derën” parashtruan një “deklaratë për përgjegjësi” deri tek Qeveria e Maqedonisë së Veriut, sipas së cilës kryeministri dhe anëtarët e qeverisë duhet të obligohen nën përgjegjësinë morale, materiale dhe penale se 32.000 regjistruesit nuk do t’i infektojnë qytetarët me koronavirusin e ri (COVID-19) gjatë hyrjes në shtëpitë e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Janko Baçev nga Blloku Kombëtar “Unë nuk e hap derën” sot para ndërtesës së qeverisë dha një deklaratë për mediat duke kërkuar shtyrjen e regjistrimit.
Duke u bërë thirrje qytetarëve të mos marrin pjesë në regjistrimin nëse nuk shtyhet, Baçev tha se regjistrimi është falsifikuar dhe se përqindjet janë dakorduar midis kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.
Baçev, duke përmendur epideminë si arsyen e dytë pse ai dëshiron që regjistrimi të shtyhet, i kërkoi qeverisë të nënshkruajë një deklaratë për përgjegjësi se regjistruesit e terrenit nuk do të infektojnë qytetarët me COVID-19 gjatë hyrjes në shtëpitë e tyre.
Në deklaratën e cila kërkohet të nënshkruhet nga Qeveria thuhet: “Ne anëtarët e nënshkruar të qeverisë, nën përgjegjësinë morale, materiale dhe penale deklarojmë se 32.000 regjistruesit dhe instruktorët në terren që do të kryejnë regjistrimin në 80 komuna të vendit, në grupe në 50 rajone gjatë regjistrimit nuk do të infektojnë askënd me koronavirusin gjatë hyrjes në shtëpi”.
Duke deklaruar se 18.000 qytetarë nga diaspora janë regjistruar brenda pak ditësh, Baçev tha se nga ata 15.000 mijë nuk janë maqedonas ndërsa numri më i madh janë shqiptarë.
Baçev tha se “Sipas marrëveshjes së arritur midis Zaevit dhe Ahmetit shqiptarët në Maqedoninë e Veriut do të jenë 35 për qind”.
“Unë nuk e hap derën” është një lëvizje qytetare e përbërë nga disa shoqata dhe organizata nga Maqedonia e Veriut qëllimi i të cilave është të anulojnë regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut.
Sa i përket regjistrimit, partia opozitare VMRO-DPMNE paraqiti në Parlament ligjin për anulimin e regjistrimit aktual. Ligji u paraqit me nënshkrime të deputetëve, por i mbështetur nga më shumë se 100.000 nënshkrime të qytetarëve që partia mblodhi javën e kaluar. Propozimi parashikon anulimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë në vitin 2021, i cili praktikisht kërkon të ndalojë të gjitha aktivitetet për operacionin statistikor.
VMRO-DPMNE-ja kërkon një seancë urgjente në të cilën do të diskutohet ligji.
Regjistrimi i popullsisë rezidente në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohet nga 1 deri më 21 prill të këtij viti, duke përdorur një kompjuter portativ, në një aplikacion të veçantë ku do të zbatohen masat teknike dhe organizative në përputhje me rregulloret në fushën e mbrojtjen së të dhënave.
Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave të Maqedonisë së Veriut, Apostol Simovski, ka deklaruar vazhdimisht në të kaluarën se “nëse ndiqen protokollet e parapara për mbrojtje, regjistrimi mund të kryhet në mënyrë të sigurt”.
Ai theksoi se Enti Shtetëror i Statistikave do të jetë “maksimalisht dhe plotësisht i përgatitur për të kryer këtë operacion në përputhje me të gjitha standardet e vendosura nga bashkësia ndërkombëtare”.