Edhe pse jemi një vend i vogël në kontinentin e Europës, jo shumë i zhvilluar ekonomikisht, duhet t’a konsiderojmë me fat veten që jemi pjesë e një vendi, të cilit natyra ia ka ndërthurur bukuritë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Një ndërthurje kaq e mrekullueshme e bukurive natyrore në një vend të vogël si Shqipëria, nuk ka shpëtuar pa u komentuar vit pas viti nga mediat e huaja, si një nga vendet që duhet vizituar nga të huajt.
Në rrugët e kryeqytetit syri të ndeshet me grupe turistësh të shoqëruar nga guida, të cilët duan të njihen me kulturën dhe bukurinë e këtij vendi të vogël Ballkanik. E për të mos folur më tej për bujtinat të cilat janë “të pushtuara” nga turistët e huaj, pa lënë anash edhe detin dhe kalatë.
Agjencia turistike InTours për BusinessMag.al liston disa arsye pse turistët e huaj duhet të vizitojnë Shqipërinë:
- Është vend i pa eksploruar
Një pjesë e madhe e njërëzve të apasionuar pas udhëtimeve dhe eksplorimeve, ende nuk e dinë diçka rreth bukurive natyrore të këtij vendi. E ndoshta kjo ka ardhur nga mos promovimi mjaftueshëm apo ndoshta akoma nuk e dinë ekzistencën e këtyre bukurive natyrore.
- Ka klimë të pastër dhe të shëndetshme
Klima e favorshme e vendit tonë, të jep mundësinë që t’a vizitosh atë në çdo stinë të vitit duke shijuar kështu bukuritë e secilës stinë. Në verë mund të shijojnë detin, e në kohën kur bën pak më ftohtë edhe malet, bujtinat apo edhe vendet historike.
- Ka histori të pasur
Vizita në Shqipëri të jep mundësinë të njihesh me detaje historike të periudhave të ndryshme kohore, duke filluar që nga ajo e Skënderbeut, të cilën e dëshmojnë kalatë e kështjellat, ajo e mbretit Zog, e komunizmit e deri në demokraci.
- Mikpritja
Nëse viziton Shqipërinë, ke mësuar bazat e mikpritjes. Vendi ynë njihet si një nga vendet më mikpritëse të rajonit. Bujaria, sjellja dhe mikëpritja që bëjnë shqiptarët ndaj mysfirëve është një detaj që i dallon nga vendet e tjera dhe që nuk duhet humbur.
- Ka çmime konkurruese
Çmimet janë të favorshme për turistët e huaj madje janë edhe konkurruese në rajon. Duke filluar që nga hotelet, restorantet, bar-kafetë, por edhe dyqanet e veshjeve për të gjithë ata që interesohen për blerjes.