24 vite nga çlirimi i Kosovës! Si u shkrua historia pas bombardimeve

Sot mbushen 24 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, ku iu dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm.

Dita e Çlirimit të Kosovës shënoi kthesën më të madhe në histori. Më 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës, të cilat ua rikthyen kosovarëve shpresën.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave pushtuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

12 qershori konsiderohet si ditë e çlirimit e Kosovës dhe si një ndër ditët më të rëndësishme të historisë së saj

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas ndërhyrjes nga Ëashingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori. Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tani kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

Ish-presidenti Klinton i drejtoi një mesazh popullit amerikan ku theksonte se: sonte për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur. Ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova.

Një milion burra, gra dhe fëmijë të dëbuar nga toka e tyre po përgatiten të kthehen në shtëpi. Kërkesat e një komuniteti ndërkombëtar të indinjuar dhe të bashkuar janë përmbushur.

Unë mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi arritur një fitore për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë. Pilotët tanë janë kthyer në bazë. Sulmet ajrore janë pezulluar. Agresioni ndaj një populli të pafajshëm është frenuar dhe po kthehet prapa.

Kur urdhërova Forcat tona të Armatosura për të luftuar, ne kishim tre qëllime të qarta: t’i mundësonim popullit kosovar, viktima të disa prej mizorive më të egra në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, të ktheheshin në shtëpitë e tyre me siguri dhe vetëqeverisje; të kërkohet që forcat serbe përgjegjëse për ato mizori të largohen nga Kosova; dhe të vendosë një forcë ndërkombëtare sigurie, me NATO-n në thelb, për të mbrojtur të gjithë njerëzit e asaj toke të trazuar, serb dhe shqiptarë, njësoj. Këto synime do të arrihen. Një konflikt i domosdoshëm është sjellë në një përfundim të drejtë dhe të ndershëm.

Rezultati do të jetë siguria dhe dinjiteti për popullin e Kosovës, i arritur nga një aleancë që qëndroi së bashku në qëllim dhe vendosmëri, e ndihmuar nga përpjekjet diplomatike të Rusisë. Kjo fitore sjell një shpresë të re se kur një popull veçohet për shkatërrim për shkak të trashëgimisë dhe besimit të tij fetar dhe ne mund të bëjmë diçka për këtë, bota nuk do të shikojë nga ana tjetër.