“Çmimi i karburantit 230 lekë për litër”/ Basha thirrje qeverisë: Hiqni taksën Rama!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të shtunë nga një pikë karburanti në vend i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndërhyjë menjëherë dhe të ulë çmimin e naftës dhe benzinës për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë. Përmes një videomesazhi, duke drejtuar gishtin nga çmimi i naftës dhe benzinës në vend, Basha, i bëri…

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të shtunë nga një pikë karburanti në vend i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndërhyjë menjëherë dhe të ulë çmimin e naftës dhe benzinës për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë.

Përmes një videomesazhi, duke drejtuar gishtin nga çmimi i naftës dhe benzinës në vend, Basha, i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masat për të hequr taksën e qarkullimit Rama mbi karburantin, 240 lekë për liter.

“Siç e shikoni çmimi i naftës ka  arritur në 230 lekë të reja për litër, 2 mijë e 300 lekë për litër. I bëj një thirrje të përsëritur qeverisë të marrë masa duke hequr taksën e qarkullimit Rama mbi karburantin, 240 lekë për litër dhe duke marrë masa të tjera shtesë për të stabilizuar në këto ditë të vështira çmimin e karburantit i cili ka një efekt të drejtpërdrejtë në mallrat dhe shërbimet bazë për të gjithë qytetarët”, tha Basha.

Sipas tij, është detyra e qeverisë shqiptare t’ju vijë në ndihmë njerëzve dhe bizneseve në këto kohë të vështira, duke shtuar më tej se qeveria shqiptare i ka të gjitha mundësitë, duke ulur taksën që t’ju vijë në ndihmë njerëzve në nevojë, në mënyrë që të paguajnë më pak për karburantin.

“Të paguani më pak për mallrat e tjera dhe shërbimet e tjera bazë, çmimi i të cilave ndikohet drejtpërdrejt dhe rritet nga çmimi i karburantit. Ndaj e përsëris thirrjen që qeveria t’ju vijë në ndihmë njerëzve duke bërë të mundur që çmimi i karburantit të mbahet nën kontroll përmes uljes së taksave që ndikojnë tek çmimet”, u shpreh kryeopozitari.