Qyteza italiane 100% e vaksinuar

Në qytezën  e vogël siciliane të Roçafiorita, afërsisht 20 km në veri të Taorminës, të gjithë banorët janë të vaksinuar.

Ata thonë se jetojnë si një familje ku të gjithë anëtarët e saj janë vaksinuar.

Roçafiorita është një fshat shumë i vogël me vetëm 184 banorë, vendi më i vogël në Siçili.

Qyteza ka arritur në 117% të të imunizuarve, sepse janë vaksinuar edhe personat që nuk banojnë në Roçafiorita, por punojnë atje.

 “Në Roçafiorita u vaksinuan edhe persona jorezidentë, si punonjës, vullnetarë të Mbrojtjes Civile, punëtorë në punë publike. Vaksinimi ynë do të ishte i pavlefshëm, nëse njerëzit që vinin nga qytete të tjera nuk do të vaksinoheshin,” – deklaroi kryebashkiaku Carmenlo Concetto Orlando.

 “Ne nuk jemi në Nju Jork apo në Milano me 10 milionë njerëz që mendojnë ndryshe, këtu ne jemi një familje,” – shtoi ai.

Në këtë qytezë ka një ndjenjë të thellë përgjegjësie të përbashkët nga të moshuarit dhe të rinjtë.

Që nga fillimi i pandemisë, Roçafiorita regjistroi vetëm një rast me COVID-19.

Më 10 dhjetor është planifikuar një “ditë e hapur” për të marrë edhe dozën e tretë.