Zgjedhjet në Kosovë: Kërkesë në rritje për hetimin e votave të serbëve për nismën boshnjake dhe atë rome

Përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend, besojnë se legjitimiteti i votave të dy nismave të reja nga komunitetet nuk është i kontestueshëm me Kushtetutë...

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt, u vu re një votim masiv i serbëve për një nismë politike boshnjake dhe një rome.

Këto nisma, “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” (UZ-AH) e udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq dhe subjekti rom Iniciativa Rome (Romani Iniciativa) me kandidatin Gazmend Salijevic, megjithëse u formuan pak para zgjedhjeve, fituan më së shumti vota midis subjekteve tjera politike boshnjake dhe rome.

Përfaqësues të tjerë politikë të këtyre komuniteteve si dhe disa nga organizatat joqeveritare kanë reaguar ndaj të ashtuquajturit “plan i Listës Serbe” duke i kërkuar organeve të drejtësisë hetimin e votave të dyshimta për këto dy nisma, meqë Lista Serbe në këto zgjedhje mori rreth 43 mijë vota, apo 10 mijë më pak se në zgjedhjet e parafundit të vitit 2019.

Rrjedhimisht, janë ngritur dyshime se vota e qytetarëve serbë është shpërndarë tek këto dy nisma “me qëllim forcimin politik të Listës Serbe” edhe me përfaqësuesit në ardhje të këtyre komuniteteve.

Sipas Kushtetutës së Kosovës nga 120 vende në Kuvendin e Kosovës, 20 prej tyre janë të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve jo-shqiptare që jetojnë në Kosovë. Nga ato 20 vende, 10 i përkasin komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera të pakicave, më saktësisht 3 vende janë të rezervuara për boshnjakët, 2 për turqit, 4 për (romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët) dhe 1 për goranët.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet, çdo subjekt politik që kandidon për vende të rezervuara duhet të deklarojë se cilin komunitet përfaqëson dhe vetëm kandidatët nga një komunitet i caktuar mund të jenë në listën e tyre.

Eugen Cakolli nga organizata Demokracia në Veprim (DnV), tha për Anadolu Agency (AA) se ajo që kanë vënë re gjithashtu pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve, që dy subjekte politike; njëri “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq” dhe subjekti rom “Iniciativa Rome” kanë fituar një numër të madh të votave në zonat e banuara me shumicë serbe ku në fakt nuk ka përqendrim apo ka fare pak përqendrim të këtyre dy komuniteteve.

“Në bazë të analizave tona fillestare, del se subjekti politik i Hoxhiq, ka fituar 87 për qind të votave vetëm në zonat e banuara me shumicë serbe. Ndërsa, subjekti tjetër nga komuniteti rom ka fituar mbi 70 për qind të votave në zonat e banuara me shumicë serbe ku në fakt jetojnë vetëm 10 për qind e numrit të përgjithshëm të romëve në Kosovë. Për më tepër, ky subjekt (i komunitetit rom) ka fituar gati gjysmën e votave vetëm në Komunën e Graçanicës me rreth 1.600 vota edhe pse sipas statistikave zyrtare në këtë komunë nuk jetojnë mbi 800 banorë të komunitetit rom”, theksoi Cakolli, sipas të cilit kjo tregon mundësinë e ndikimit të Listës Serbe e cila si subjekt dominon në këto komuna, për t’i orientuar një pjesë të votuesve.

Cakolli tha se këtë problematikë e kanë paralajmëruar disa subjekte politike të komuniteteve joshumicë në vend edhe para procesit zgjedhor, por nuk ka indikacione që dikush është duke u marrë seriozisht me këtë.

“Unë besoj që në radhë të parë ne e respektojmë idenë dhe parimin e barazisë së votës dhe duke qenë se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, nuk përjashtohet mundësia që dikush të votojë edhe për subjekte të komuniteteve. Problematike për ne mbetet fakti i një numri kaq të madh të votave dhe një dalje e tillë kaq e madhe që e pakta në teori lë hapësirë për dyshime të shumta për një lloj manipulimi të procesit zgjedhor pikërisht nga ana e Listës Serbe në bashkëpunim me këto dy subjekte politike”, thekson ai.

Komuniteti rom, siç thonë nga DnV, do të fitojë në Kuvendin e Kosovës dy ulëse, edhe pse krahasuar me komunitetet tjera, përkatësisht atë ashkali dhe egjiptian, është komuniteti me numrin më të vogël të banorëve në nivel vendi.

Sipas kësaj organizate, votat e fituara nga Hoxhiq dhe Iniciativa Rome nuk janë të kontestueshme nga Kushtetuta sepse Kushtetuta e njeh parimin se “çdo qytetar ka të drejtë të votojë cilindo subjekt politik”. Por problematike, sipas DnV-së, do të jetë përfaqësimi i duhur i komunitetit boshnjak dhe rom në Kuvend, ngase këto dy parti kanë marrë fare pak vota nga pjesëtarë të komuniteteve të tyre.

“Askush nuk mund të sfidojë të drejtën e votës së lirë për ndonjë subjekt apo kandidat”

Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në një deklaratë për AA tha se askush nuk mund të sfidojë të drejtën e votës së lirë për ndonjë subjekt apo kandidat.

Por, ai thotë se është e qartë që iniciativa e Adrijana Hoxhiqit nuk ka marrë as edhe 1 për qind të votave të saj në Prizren ku komuniteti boshnjak ka përqendrim të lartë në numër, por është votuar më shumë në zonat ku jetojnë vetëm serbët, gjë që, sipas tij, i bën këto vota të dyshimta.

Sipas Shalës, me këtë, qëllimi i Listës Serbe është shumë i qartë se, përveç 10 deputetëve që ka në Kuvend, synon të forcohet politikisht edhe me 3 ose 4 deputetë nga komunitetet tjera.

“Kjo duhet të provohet, dhe ne i kemi kërkuar Zyrës së Prokurorit të hetojë dhe të shohë se si ndodhi që kaq shumë votues serbë nuk votuan për serbët, por për boshnjakët dhe romët në Graçanicë. Ne kishim disa informacione një muaj para zgjedhjeve që Lista Serbe, me urdhër të Aleksandër Vuçiçit, po përpiqet të marrë sa më shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të marrë një numër të dy të tretave të deputetëve të pakicave, për të penguar në votimin e ligjeve të ndryshme”, thotë Shala.

Ai thekson se subjektet dhe kandidatët të cilët konsiderojnë se janë dëmtuar me votat e tilla, duhet të përdorin të drejtën e tyre për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe në Gjykatën Supreme dhe vetëm pas tyre të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai shton se është skeptik që Gjykata Kushtetuese mund të marrë një vendim shpejt dhe thotë se kur Adrijana Hoxhiq dhe Gazmend Salijevic të bëjnë betimet si deputetë në Kuvend, “do të jetë shumë më e vështirë”.

Të dyja subjektet politike mohojnë bashkëpunim me Listën Serbe

Adrijana Hoxhiq e cila në vitin 2019 ka qenë ministre e Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës ndërsa aktualisht është nënkryetare e Mitrovicës së Veriut, ka mohuar se ekziston ndonjë marrëveshje midis iniciativës së saj politike dhe subjektit politik Lista Serbe.

Hoxhiq në deklarimet e saj për media ka thënë se akuzat për bashkëpunimin e saj me Listën Serbe janë të pabaza ndërsa ka theksuar se përkrahja për subjektin që ajo udhëheq ka ardhur nga të gjitha komunitetet.

Por, për rreth 6.379 votat që shkuan për Hoxhiq më 14 shkurt kanë reaguar ish-deputetet e Kuvendit nga komuniteti boshnjak, Duda Balje dhe Emilja Rexhepi, të cilat kanë thënë se subjekti i bashkëkombases së tyre “është përkrahur nga Lista Serbe”.

Bashkëpunimin me Listën Serbe e kanë mohuar edhe nga Iniciativa Rome.

Gazmen Salijevic, zëdhënës i kësaj partie si dhe kandidat për deputet, ka thënë se kanë marrë vota nga 36 prej 38 komunave gjithsej në Kosovë pasi tha se e kanë “promovuar iniciativën tek qytetarët” dhe vota tek ta ka shkuar me vullnet qytetar.

Sipas votave të numëruara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), lista e Adrijana Hoxhiqit ka fituar 6.379 vota. E dyta në numër nga subjektet politike të komunitetit boshnjak është Koalicioni Vakat (KV) me 5.672 vota, ndjekur nga Partia e Re Demokratike (NDS) me 2.763 vota, Bashkimi Social Demokrat (SDU) me 2.434 dhe Iniciativa Jonë (NAŠA) me 1.295 vota.

Midis subjekteve rome, Iniciativa Rome doli e para me 3.827 vota. Ndërsa nga subjektet tjera politike nga ky komunitet Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) ka marrë 1.171 vota, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) ka 946 vota dhe Partia e Re Rome e Kosovës (PRRK) me 607 vota.

Sipas të dhënave të regjistrimit (të fundit) të popullsisë të vitit 2011, në Kosovë jetojnë 35.784 romë, ashkali dhe egjiptianë (8.824 romë, 15.436 ashkali dhe 11.524 egjiptianë) ndërsa pjesëtarë të komunitetit boshnjak në vend llogaritet të jenë rreth 27 mijë.