Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka bërë të ditur se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të gjetur një rrugëdalje për situatën e tensionuar.
Nëpërmjet një njoftimi në Twitter, Borrell ka thënë se është nevojë urgjente për de-eskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri të Kosovës.
“I kam thirrur liderët e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, ka shkruar kete mengjes Borrell.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pranuar të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Ai e ka bërë të ditur këtë të mërkurën, teksa sot është në nbjë vizitë zyrtare në Vatikan.
Pas vizitës në Selinë e Shenjtë Kurti do të udhëtojë drejt Brukselit.
Kurti ka treguar se kërkesa e tij do të jetë lirimi i tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe, më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
“Përcaktoj itinerarin tim për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga HR/VP Borrell. Do të insistojë për lirimin urgjent pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, de-eskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Vizita e Kurtit në Vatikan ku do të takohet me Papa Françeskun e ka konfirmuar edhe zyra e kryeministrit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vendosur ta pranojë ftesën e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të shkuar në një takim urgjent në Bruksel. Por ka shtuar se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Do të shkoj në Bruksel të flas me Borellin një orë, dy deri në dhjetë orë, nuk kam punë me Kurtin, nuk do të flas me Kurtin, sepse të flasësh me të nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Marksin dhe kaq. Gjithçka tjetër ka të bëjë me persekutimin e serbëve dhe ligjëratat për çështjet e brendshme politike në Serbinë qendrore”, ka thënë Vuçiç.
Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak tha se takimi për menaxhimin e krizave në Bruksel do të mbahet, pavarësisht deklaratave të liderëve të të dyja vendeve.
“Nëse do të refuzohej do të kishte pasoja serioze dhe negative”, tha ai në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Washington, ku pjesëmarrës ishte edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajçak shtoi se takimi që tha do të mbahet shumë shpejt, do të fokusohet vetëm në menaxhimin e krizës aktuale.