Vuçiç në Kosovë: Angazhohem për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit

I pyetur ta komentojë deklaratën e kancelares gjermane, Vuçiç theksoi se e respekton kancelaren Merkel, fuqia e tij është minimale krahasuar me të saj dhe se nëse ajo ashtu thotë “ne këtë sigurisht nuk mund ta ndryshojmë”

Liqeni dhe hidrocentrali i Ujmanit është me rëndësi të madhe edhe për serbët edhe për shqiptarët dhe kjo më së miri tregon thellësinë e kontesteve tona, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë vizitës në digën e Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç, ku stacioni i parë i vizitës dy ditëshe në Kosovës është Zubin Potoku, tha se në Ujman më së miri sheh peshën e problemeve me të cilat përballen serbët dhe shqiptarët dhe betejën e rëndë politike që zhvillohet rreth Ujmanit. Ai shfaqi shpresën se në të ardhmen do të arrihet marrëveshje në mënyrën që të dyja palët të jenë të kënaqura nga shfrytëzimi i ujit.

Ai theksoi se shteti i Serbisë këtë vit në rinovimin dhe rikonstruimin e digës ka investuar 127.9 milionë dinarë (rreth 1 milion euro) dhe se do të paguhen edhe 12 milionë dinarë (rreth 100 mijë euri) që punët të përfundojnë deri në fund të shtatorit.

Vuçiç theksoi se në Zubin Poton dhe në veri të Kosovës ka ardhur për të folur se angazhohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes serbëve dhe shqiptarëve. Sipas tij, Serbia ka në plan dhe program për investime ekonomike në 10 komuna të Kosovës në të cilat shumica janë serbë.

“Me shqiptarët gjithçka kemi tentuar dhe provuar dhe nuk shkoi, koha është me më shumë respekt të bisedojmë me njëri tjetrin, se a do të arrijmë të ndërtojmë ndonjë miqësi, nevojitet kohë”, tha Vuçiç.

I pyetur ta komentojë deklaratën e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila ripërsëriti se është kundër ndryshimit të kufijve, Vuçiç tha se kjo nuk është diçka e re dhe se me këtë sigurisht gëzohen kundërshtarët e tij politik në Serbi. Ai theksoi se e respekton kancelaren Merkel, fuqia e tij është minimale krahasuar me të saj dhe se nëse ajo ashtu thotë “ne këtë sigurisht nuk mund ta ndryshojmë”. Vuçiç shtoi se kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndihmojë popullin serb të qëndrojë në vatrat e tij.

Lidhur me shkrimet në mediat kosovare se ka nënçmuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi duke refuzuar ta takonte atë dje në Bruksel, Vuçiç tha se nuk ka nënçmuar askënd, por se atë e ka bërë dikush tjetër që përmendi bijat dhe djemtë e dikujt, duke aluduar në deklaratën Albin Kurtit.

“Puna jonë parasegjithash është të ruajmë paqen dhe të tentojmë të gjejmë ndonjë lloj zgjidhje, ky është proces, ndërsa nëse ne këtë nuk e përfundojmë atë do ta bëjë ndonjë gjeneratë e dytë ose e tretë dhe besoj se kufijtë do të jenë shumë pak të rëndësishëm kur të jemi pjesë e Evropës”, tha presidenti serb.

Presidenti serb Vuçiç me delegacionin e tij gjatë vizitës në Kosovë do të qëndrojë në katër komuna në veri të Kosovës në të cilat shumica e banorëve janë serbë.