Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u është drejtuar ndërkombëtarëve, duke i pyetur se cilën nga pesë marrëveshjet duhet të respektojë Beogradi, kur Prishtina dhe ata që e ndihmojnë nuk respektojnë asnjërën prej tyre.
Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë gjermane se është e papranueshme dërgimi i forcave serbe në Kosovë, Vuçiç u shpreh se përgjigja ka ardhur në vend të komandantit të KFOR-it, i cili ende nuk ka marrë një kërkesë të tillë nga Beogradi, shkruan Euronews Serbia.
Siç nënvizoi ai, KFOR-i do ta marrë kërkesën vetëm të enjten pasdite pas procedurave që duhet të ndiqen.
“Tani kam një pyetje për të gjithë ata, ju lutem më thoni, unë do t’i paraqes para tyre 5 dokumente të rëndësishme, cilin prej tyre duhet ta respektojmë, na thoni një dhe ne do ta respektojmë atë, zgjidhni ju, doni Marrëveshjen e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit, Marrëveshja e Uashingtonit?
Na thoni, çfarë doni, a e kuptoni se ata nuk respektojnë asnjërën nga ato marrëveshje, as Prishtina dhe as ata që i ndihmojnë, tani e kanë pranuar se ua kanë bërë këtë edhe disa të tjerëve. Na thuaj çfarë doni?”, theksoi presidenti serb.