Vuçiç: Lejoni që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin vet problemet

Vuçiç ka thënë se gjetja e zgjidhjes nuk është e mundur pa mbështetjen e BE-së dhe se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës do të jetë thelbësor për Ballkanin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të lejojnë serbët dhe shqiptarët të përpiqen ta zgjidhin vet problemin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç këtë thirrje e bëri nga Forumi Evropian Alpbach.

“Bëhet fjalë për serbët dhe shqiptarët, ne duhet të jetojmë së bashku në të ardhmen. Këto janë kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe kështu do të mbetet edhe në 100 vitet e ardhshme. Kush do ta zgjidhë këtë problem nëse nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë”, tha Vuçiç në debatin “Perspektivat e reja të Zgjerimit të BE-së”, në kuadër të bisedimeve politike në Forumin Evropian Alpbach.

Ai pyeti se ku janë kufijtë dhe kush do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit, nëse gjysma e botës e konsideron Kosovën shtet të pavarur, ndërsa gjysma tjetër, ndër të cilat pesë vende të BE-së, Kina, Rusia dhe “gjysma e botës islame” e njohin vetëm Serbinë.

Vuçiç tha se gjetja e zgjidhjes nuk është e mundur pa mbështetjen e BE-së dhe se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës do të jetë thelbësor për Ballkanin.