Vjosa Osmani zyrtarisht ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës

"Ceremonia e pranim-dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës", thuhet nga Zyra e Presidentit të Kosovës

Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë zyrtarisht funksionin e ushtrueses së detyrës (u.d.) të Presidentes së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës (ZPRK), ceremonia e pranim-dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetarës së Kuvendit të Kosovës.

Gjithashtu, pritet që u.d. e presidentes Vjosa Osmani, t’u drejtohet sot qytetarëve me një fjalë në orët e pasdites.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që “Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, në këtë rast nga Vjosa Osmani “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”, ndërsa mandati i presidentit Thaçi përfundon në prill të vitit 2021.

Presidenti Thaçi sot dha dorëheqje nga posti i tij pas konfirmimit të aktakuzës së Dhomave të Specializuara, për siç tha ai “të mbrojtur integritetin e Presidencës të Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”.

Në fund të qershorit, Zyra e Prokurorit të Specializuara i ka paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzë ku presidenti Thaçi akuzohet “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura” gjatë luftës së fundit në Kosovë.