Vettngu, Artan Broci dhe Dritan Rreshka probleme me pasurinë

Vetingu, Artan Broci dhe Dritan Rreshka probleme me pasurinë, KPK dyshime mbi banesat e gjyqtarit dhe prokurorit

Hetimi administrativ dhe i pavarur i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vijon të nxjerrë në dritë të gjitha shkeljet që gjyqtarët dhe prokurorët kanë kryer ndër vite gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Dje u përballën me trupën gjykuese dy emra mjaft të njohur për publikun: Artan Broci, gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe Dritan Rreshka, kreu i Prokurorisë së Tiranës. Fillimisht para trupës dha llogari Artan Broci, të cilit iu desh të justifikonte një sërë shkeljesh që KPK i listoi. Sipas komisionit të vetingut, gjyqtari kishte bërë një ndërtim pa leje në vitin 1997 në pallatin ku banonte në rrugën Don Bosko në Tiranë. Po në të njëjtën zonë, Broci rezultoi se bleu një apartament të dytë prej 160 metrash katrorë, ku 67 metra ishin shtesë pa leje. Sipas komisionit, këto pasuri subjekti nuk i justifikon me të ardhura të ligjshme. Një tjetër problem i konstatuar nga KPK për Artan Brocin, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i KED, ishte ai me një apartament papafingo të blerë në Rrashbull të Durrësit në vitin 2006. “Për këtë banesë ekzistojnë dy deklarata noteriale, duke krijuar dyshime për vërtetësinë e këtyre kontratave. Nuk ka kontratë që vërteton marrjen e shumës prej 102 mijë euro. Nuk ekziston as ndonjë dokumentacion se ka paguar tatime në lidhje me shitjen e kësaj pasurie”, tha KPK. Tjetër pasuri e gjetur nga trupa gjykuese ishte edhe një apartament në Rrugën e Dibrës, e cila nuk rezulton fare e deklaruar. Këtë pasuri KPK e kishte gjurmuar nga faturat e ujit dhe të dritave të paguara në emër të Artan Brocit. Ky i fundit deklaroi se nuk kishte dijeni për këtë fakt dhe sugjeroi se mund të kemi të bëjmë me një rast të vjedhjes së identitetit. Për Brocin pati edhe dyshime për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore në konflikt interesi, ndërsa u theksua se në një rast gjyqtari ka marrë materiale ndërtimi dhuratë nga kompania për ndërtimin e një shtëpie në Shkodër. Por Broci u mbrojt duke argumentuar se marrëdhënia me kompaninë e ndërtimit që jep materiale ndërtimi dhuratë është disa vite më e vonë nga vendimi i tij.

Problemet e Rreshkës

Pas Artan Brocit, radhën për tu përballur me trupën gjykuese e kishte drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka. Edhe seanca e tij dëgjimore u zhvillua me replika, ku subjekt diskutimi u bë raporti i ILDKP se prokurori ka fshehur pasurinë dhe ka dhënë dëshmi të rreme. Në unison me ILDKP ishte edhe KPK. “Dy kate të një shtëpie 131 metra dhe 166 metra me vlerë 2.5 milionë lekë, kanë si burim të deklaruar pasurie, paratë në emigracion dhe kreditë. KPK bazuar edhe në raportin e ILDKPI-së ka dalë në përfundimin se ka mospërputhje të deklarimit dhe vlerës së kostos së kateve të shtëpisë. Rreshka ka blerë disa obligacione me vlerë 7.9 milionë lekë, por 0rezulton se s’ka patur burime të mjaftueshme financiare për t’i justifikuar. Gjithashtu, në kontratën e blerjes së një shtëpie në Tiranë, ka mospërputhje në deklarim, pasi mungon aftësia paguese për blerjen e këtij apartamenti. Rreshka ka problem edhe me përfitimin e një kredie të butë, ku ka bërë një sërë deklarimesh fiktive të pasurisë. Vëllezërit e prokurorit Rreshka, S.R dhe kunata e tij, janë ortakë në një shoqëri, dhe Rreshka ka deklaruar se i kanë dhënë 46 milionë lekë borxh kësaj kompanie”, tha trupa gjykuese. Prokurori Rreshka, i cili ishte vetë i pranishëm në seancë, por shoqërohej edhe nga avokati, u përpoq të justifikonte gjetjet e KPK. “ILDKPI është e njëanshme. Kam punuar që në shkollë të mesme gjatë pushimeve verore duke emigruar në Greqi. Në 1997 për shkak të humbjeve të kursimeve familjare, bashkë me vëllanë emigruam në Greqi deri në 1998. Punoja në ishuj turistikë sepse kisha studiuar anglisht dhe mësova dhe greqishten. Kur u ktheva solla 2.8 mln lekë të reja. Pastaj punova deri në 2003 dhe përfitova 1.8 mln lekë të reja. Në vitin 2000 bleva truall në qytet Studenti, 800 mijë lekë të reja nga të ardhurat e siguruara në emigracion”, tha Dritan Rreshka.